Postuar më: 30/06/2018

Investime për zhvillim

Inaugurohet hoteli me 5 yje në Golem

Një investim i ri në fushën e hotelerisë u inaugurua në plazhin e Golemit në Durrës. Hoteli me pesë yje dhe me një vlerë investimi prej më shumë se 10 milionë euro, ka hapur mbi 200 vende të reja pune. Investimi është rrjedhojë e politikës nxitëse të qeverisë shqiptare për investime reale në fushën e hotelerisë së niveleve të larta. Politikat për nxitjen e hoteleve me 4 dhe 5 yje kanë dhënë frytet e para, duke ndikuar pozitivisht në industrinë e turizmit, duke sjellë më shumë vlerë të shtuar në ekonomi, më shumë punësim dhe vende pune të paguara shumë më mirë. Nisma e qeverisë shqiptare do të sjellë zhvillimin e strukturave me emra të mirënjohur ndërkombëtarisht me brande që janë në top listën globale të turizmit. Përveç impaktit të rëndësishëm në ekonomi që do të sjellin këto investime, do të ketë edhe një rritje të konsiderueshme të punësimit. Për këtë arsye, qeveria shqiptare do të garantojë nëpërmjet një mase tjetër investimet e privatit në kualifikimin e stafit që falë mbështetjes së shtetit, burimet njerëzore të trajnuara të jenë të qëndrueshme edhe pas mbylljes së sezonit turistik. Qeveria shqiptare ka ndërmarrë politika edhe në nxitjen e një sërë investimesh në agroturizëm duke sjellë më shumë impakt në ekonominë e turizmit, në ekonominë rurale dhe në ekonominë e shumë familjeve në fshat.