Postuar më: 08/12/2018

Klosi: Moratoriumi i gjuetisë, 50% më shumë zogj shtegtarë në laguna

Pakësimi i faunës së egër ka qenë një problematikë e madhe në Shqipëri, aq sa edhe në zonat e mbrojtura ishte e vështirë të gjeje shpendë apo kafshë të egra. Por, vendosja e moratoriumit të gjuetisë ishte një iniciativë që megjithë qëndrimin kundër të gjuetarëve e rriti ndjeshëm numrin e kafshëve të egra apo zogjve shtetgtarë, madje edhe të atyre në rrezik zhdukjeje. Ky ishte qëllimi i diskutimit në konferencën shkencore të zhvilluar ditën e shtunë në kuadër të Festivalit të Zogjve, në edicionin e tij të tretë, kur ministri i Turizmit dhe Mjedisit foli për të dhënat konkrete që ka sjellë zbatimi i moratoriumit të gjuetisë, por edhe për nismat që do të ndërmerren në vijimësi të zbatimit të tij.

“Ne duhet që të jemi në një debat të vazhdueshëm nëpërmjet mekanizmave për të mbrojtur dhe për të fuqizuar zonat të mbrojtura, pasurinë tonë natyrore dhe kthimin e tyre në ekonomi. Unë mendoj që në jetën e një administratori publik është e vështirë të marrësh vendime radikale, mbase është e vështirë të marrësh vendime që ndryshojnë gjërat, por vendimi i marrë nga qeveria e Edi Ramës për moratoriumin e gjuetisë mendoj ka qenë një nga vendimet më të guximshme dhe me efekte të menjëhershme”, tha ministri Klosi. Megjithatë, përtej rezultateve pozitive, ministri shtoi se ka ende masa të tjera që duhen ndërmarrë në vijimësi të zbatimit të moratoriumit.

“Ne na duhet një periudhë tjetër moratoriumi, të paktën deri në përfundim të këtij 5-vjeçari për të parë sesa më shumë përfitim do të kemi në si shoqëri, sesa janë shtuar zogjtë shtegtar që vijnë në vendin tonë. Ne bëmë cencusin e zogjve dhe rezulton se në dy vitet e fundit numri i zogjve shtetgtar në lagunat tona është shtuar me 50%. Pa qenë kundër komunitetit të gjuetarëve, ne duhet të rrisim ndërgjegjësimin e opinionit se ka rregulla edhe në atë passion të gjuetisë siç duhet të ketë rregulla, mbështetje, fuqizim të pasionit tuaj për të rritur gjënë e veçantë, gjënë e bukur, konkurrimin nëpërmjet vlerave dhe arritjeve të fundit të shkencës edhe në fushën e mbrojtjes së zogjve”, tha ministri Klosi nga konferenca shkencore për mbrojtjen e faunës së egër.

Si pasojë e moratoriumit të gjuetisë, në Parkun Kombëtar të Divjakë-Karavastasë numri i shpendëve të ujit në 2018-n ka arritur në mbi 47 mijë. Flamingot i gjejmë në këtë park si asnjëherë më parë, mbi 4 mijë të tilla. Shtim të llojeve të faunës së egër kemi edhe në Kune-Vain; në Liqenin e Shkodrës, në Nartë, Butrint, Orikum, Patok, në Karpen, Seman dhe në liqenin e Tiranës.