Misioni dhe Objektivat

Qeveria angazhohet të garantojë një mjedis të shëndetshëm për qytetarët, ta ruajë atë nga ndotja dhe dëmtimi, nga aktiviteti njerëzor dhe veprimtaritë ekonomike, ta trajtojë si vlerëtë shtuar dhe pasuri për gjenerim aktivitetesh ekonomike, veçanërisht turistike, si dhe ta ruajë atë si trashëgimi për brezat e ardhshëm. Mjedisi, shfrytëzimi i qëndrueshëm i tij, është një potencial i madh punësimi.

Ne e konsiderojmë mbrojtjen e mjedisit si një detyrë të përbashkët për të gjithë qytetarët, organizatat mjedisore, shoqërinë civile, median, shkollën, shkencëtarët dhe sektorët e biznesit privat. Falë pozicionit gjeografik dhe shumëllojshmërisë së ekosistemeve në vendin tonë gjenden 3’200 specie bimësh që përbëjnë rreth 30% te florës evropiane. Gjuetia e paligjshme dhe shfrytëzimi pa kriter i natyres, e veçanërisht i parqeve kombëtare kanë shkaktuar dëme të mëdha. Ne do ta përmirësojme situatën nëpërmjet vendosjes së masave rigoroze për ruajtjen e zonave tëmbrojtura, duke kontrolluar rreptë gjuetinë si dhe duke ndaluar përdorimin e armëve të gjuetisë nga persona të paautorizuar.

Shqipëria me rrjetin e saj hidrografik ështe një vend i pasur me pasuri të shumta ujore, por është e rëndësishme që të adaptojmë një përqasje të re në menaxhimin e integruar të burimeve ujore. Kështu do t’i japim zgjidhje edhe pasojave të ndryshimeve klimatike, për të shfrytëzuar në mënyrë racionale ujin dhe evituar përmbytjet. Ne do të realizojmë reforma dhe do forcojmë kapacitetet për të rritur cilësinë e këtyre shërbimeve ndaj publikut. Do të përgatitim plane për manaxhimin efektiv të baseneve kryesore ujore, në mënyrë të veçantë për Drinin, e Bunën dhe Semanin do të perfundojmë Kadastren e Ujit.

Një përkujdesje e veçantë do t’i kushtohet lumenjve, liqeneve dhe burimeve të tjera ujore, veçanërisht atyre qe janë tepër të dëmtuar nga aktiviteti jashtëligjor ose ndotja mikrobiologjike dhe kimike. Cilësia e ajrit është një element themelor për shëndetin publik. Mjaft zona të vendit rezultojnë me nivel ndotjeje më të lartë se normat e lejuara evropiane. Qeveria do të synojë uljen me 30% të nivelit të ndotjes në zonat urbane nëpërmjet: 


• Shtimit të sipërfaqeve të gjelbra në zonat urbane;
• Kontrollit të emetimit të pluhurit në zonat urbane, duke aplikuar teknologji të reja monitorimi;
• Përdorimit të karburanteve konform kritereve të BE;
• Zbatimit të standardeve të rrepta në aktivitetet ekonomike që ndotin ajrin.


Publiku në përgjithësi nuk është i informuar mirë për situatën e ndotjes dhe për rrezikun e ndotjes, lidhjen ndërmjet mjedisit dhe shëndetit publik e përfitimet e një mjedisi të pastër për ekonominë dhe shoqërinë si një e tërë. Përpjekjet për fuqizimin e kapaciteteve të OJF-ve janë kryesisht të zbehta. Ne do ta ndryshojmë këtë situatë përmes:


• Pjesëmarrjes së OJF-ve në hartimin dhe zbatimin e ligjeve mjedisore,
• Fuqizimit të rolit monitorues të Agjencisë së Mjedisit,
• Ndarjes së kompetencave për autorizimet, menaxhimin dhe inspektimin.

Pyjet
Sipërfaqet me bimësi pyjore dhe kullotat mbulojnë rreth 60% të territorit të vendit por në 20 vitet e fundit përllogariten rreth 100,000 ha pyje të shkatërruar. Humbja e sipërfaqes në pyje është shoqëruar me fenomene të tjera si erozioni, humbja e habitateve për faunën e egër, rrëshqitjet e tokës, etj. Për të ndryshuar situatën, qeveria, fillimisht do të ndalojë për një periudhë të caktuar eksportin e lëndës drusore të papërpunuar, të druve të zjarrit dhe qymyrit të drurit, duke synuar të ulim me 30% prerjen e drurëve në pyje.

Do të hartohet e miratohet strategjia kombëtare për menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve pyjore. Kompanitë që marrin lejet për shfrytëzimin e pyjeve do të kenë edhe përgjegjësinë e mirëmbajtjes së tyre, duke mbjellë një fidan për çdo dru të prerë. Do të kryhet  inventarizimi kombëtar i pyjeve, duke mundësuar krijimin e një kadastre të re të pyjeve. Do të hartohet  një program kombëtar për pyllëzimet si dhe do të organizohet dita kombëtare e mbjelljeve në pyje.

Do të forcohet shërbimi i ekstensionit, me qëllim asistimin e komunitetit dhe pushtetit vendor në politikëbërjen dhe menaxhimin e zonave pyjore. Do të hartojë një program të ri investimesh me qellim rehabilitimin e shpejtë të zonave pyjore mevlerë kombëtare si Lura, Qafshtama etj.