Postuar më: 24 Qershor 2016

Botohet në Fletore Zyrtare ligji “Për shpalljen e moratoriumit të gjuetisë në Republikën e Shqipërisë”. Hyn në fuqi më 9 Korrik 2016

Ministria e Mjedisit njofton se është botuar në Fletoren Zyrtare Viti 2016 - Numri 115, Datë 23/06/2016 Ligj nr. 61/2016 datë 2.6.2016 “Për shpalljen e moratoriumit të gjuetisë në Republikën e Shqipërisë”

Ky ligj hyn në fuqi datë 9 Korrik 2016 , sipas përcaktimit 15 ditë pas publikimit në Fletore zyrtare

Ky ligj ka për  qëllim të sigurojë ndalimin e aktivitetit të gjuetisë, me synim përmirësimin e gjendjes së llojeve të faunës së egër, objekt gjuetie dhe jo vetëm. Moratoriumi 5 vjeçar i gjuetisë, përfshirë mjedise tokësore dhe ujore, në rang vendi synon të sjellë:

1-  Rimëkëmbjen  e popullatës do jepte mundësinë për një pasurim të ndjeshëm sasior dhe cilësor të biodiversitetit në Shqipëri, duke kontribuar drejtëpërdrejtë në turizëm dhe ekonominë lokale të komuniteteve, cka i ka dhënë rezultatet e para qysh në vitin 2015-të sidomos me fluksin e vizitorëve të huaj në zonat ligatinore.

2-  Përmbushjen e detyrimeve që ka Shqipëria në kuadër të Konventave të fushës së mbrojtjes së natyrës, në të cilat Shqipëria është Palë.

Ky ligj ka parashikuar dhe rastet e përjashtimeve për arsye të një afati kohor më të gjatë. Përjashtimet në fushat e veprimit janë a) gjuetia në rastet e konstatimit të mbipopullimit të një lloji të faunës së egër, në zonat e lejuara për gjueti dhe në rezervatet e mbarështimit sipas legjislacionit në fuqi për gjuetinë; b) gjuetia për qëllime kërkimore-shkencore. Këto raste propozohen nga Ministri i Mjedisit dhe miratohen me vendim të Keshillit të Ministrave.

Edhe pse Moratoriumi i gjuetisë hyn në fuqi më datë 09 Korrik 2016, momentalisht Shqipëria është në sezonin e ndalimit të gjuetisë (16 Shkurt – 30 Shtator sezoni i ndalimit të  gjuetisë)

Zgjatja kohore e këtij moratoriumi sipas ligjit është 5 vjeçare nga data e hyrjes së tij në fuqi.