Postuar më: 23 Maj 2016

Çelet edicioni i 4-t i Festivalit të Filmit Mjedisor

U zhvillua sot ceremonia zyrtare e edicionit të katërt të Festivalit të Filmit Mjedisor. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Zv/Ministrja e Mjedisit, znj Olijana Ifti,  Ambasadorja e Delegacionit të BE-së në Tiranë, znj. Romana Vllahutin, përfaqësues të shoqatave të ndryshme mjedisore si dhe kineastë.

Në fjalën përshendëtetëse, znj Ifti u shpreh se misioni kryesor i festivalit të filmit mjedisor është ndërgjegjësimi i njerëzve për të ruajtur natyrën dhe për t’u orientuar drejt zhvillimit të qëndrueshëm të saj.

Ndër të tjera në fjalën e saj, ambasadorja Vllahutin apeloi për t’u kujdesur për mjedisin, duke theksuar se parandalimi i shkatërrimit të mjedisit nuk kushton  krahasuar me rehabilitimin e tij.

Në vijim të ceremonisë, u projektuan filmat e programuar dhe më pas u bë përurimi  i ekspozitës “Dritare e hapur në brigjet shqiptare “. 

Edicioni i katërt i EFFA2016  shënoi ditën e parë të aktiviteteve në ditën ndërkombëtare të Biodiversitetit për të vijuar deri në datën 5 qershor që shënon Ditën Botërore të Mjedisit. Gjatë këtij edicioni do të projektohen 57 filma nga 29 vende të botës, një pjesë e të cilëve shfaqen si premiera botërore.  Njëherësh me projeksionet e filmave sipas kategorive, gjatë Festivalit të Filmit Mjedisor (EFFA2016 ) do të zhvillohen edhe 5 forume me praninë e ekspertëve të huaj dhe shqiptarë.

Festivali i Filmit Mjedisor përfshin gjithashtu edhe aktivitete në terren, ndërsa filmat do të projektohen në tetë qytete, në ambjente publike me qëllim realizimin e misionit të tij, ndërgjegjësimin e publikut kundrejt mjedisit.

EFFA 2016 është organizuar nga Ministria e Mjedisit dhe Delegacioni Evropian në Tiranë.