Postuar më: 30 Janar 2014

Këshilli i Ministrave miraton krijimin e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit Pyjeve dhe Ujërave

Këshilli i Ministrave, gjatë mbledhjes së radhës, të mbajtur në datë 29 janar 2014 miratoi propozimet e Ministrit të Mjedisit, Lefter Koka për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe krijimin e Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit Pyjeve dhe Ujërave.

Deri më sot,  Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka ekzistuar referuar VKM nr. 579, datë 23.08.2006 “ Për krijimin e Agjencisë së Mjedisit dhe Pyjeve”, por me ndryshimin e ligjit për mbrojtjen e mjedisit, pjesa kryesore e kompetencave të Ministrisë së Mjedisit i ka kaluar kësaj Agjencie.

Agjencia Kombëtare e Mjedisit në bazë vendimit të Këshillit të Ministrave do të kryejë funksione rregullatore për lejet e mjedisit në përputhje me dispozitat e legjislacionit përkatës;  monitoron dhe vlerëson gjendjen e mjedisit dhe përgatit Programin Kombëtar për Monitorimin e Mjedisit; përgatit dhe publikon raportin për gjendjen e mjedisit dhe botime të tjera që kanë lidhje me mjedisin si dhe kryen kërkime shkencore që lidhen me mjedisin ose kërkime të tjera për zhvillimin e teknologjisë dhe inovacionin.

Këshilli i Ministrave miratoi gjithashtu krijimin e Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve dhe Ujrave (ISHMPU). ISHMPU-ja ka për mision garantimin e respektimit të kërkesave ligjore në fushën e mbrojtjes së mjedisit, pyjeve dhe ujërave dhe është përgjegjëse për të gjitha funksionet e inspektimit në fushën përkatëse në përputhje me përgjegjësitë e ministrisë përgjegjëse për mjedisin, ujërat dhe pyjet.

Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve dhe Ujrave në nivel qendror planifikon dhe bashkërendon veprimtarinë e inspektimit; siguron unifikimin e praktikave të inspektimit, në shkallë vendi; bashkërendon veprimtarinë e laboratorëve të vet dhe siguron kryerjen e analizave nga laboratorë të tjerë të akredituar, në rastin e pamundësisë së kryerjes së tyre nga laboratorët e vet dhe  jep mbështetje teknike, administrative dhe shkencore për veprimtarinë e inspektimit.

Ristrukturimi I këtyre dy institucioneve është bërë në kuadër të objektivave kryesore të Programit të Qeverisë për mbrojtjen e Mjedisit. Vendimet do të sjellin drejtpërsëdrejti rritje të kontrollit në mjedis, e si pasojë edhe rritje të cilësisë së tij.