Postuar më: 07 Prill 2016

Këshilli i Ministrave miraton projektligjin për shpalljen e Moratoriumit të Gjuetisë

Më datë 06 Prill 2016 Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin për shpalljen e moratoriumit të gjuetisë në Republikën e Shqipërisë 

Qëllimi i këtij projektligji është ndalimi i ushtrimit të aktivitetit të gjuetisë, me qëllim përmirësimin e gjendjes së llojeve të faunës së egër, objekt gjuetie dhe jo vetëm.

Objekti i këtij projektligji është ndalimi i përkohshëm për një periudhë 5 vjeçare i ushtrimit të veprimtarisë së gjuetisë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.  

Në hartimin e këtij projektligji është parashikuar pezullimi i përdorimit të zonave të gjuetisë dhe pezullimi i gjuetisë në zonat e mbarështimit të faunës së egër.

Shkeljet e këtij ligji, ashtu si dhe moratoriumi 2 vjecar i gjuetisë Mars 2014- Mars 2016, nuk përbëjnë vepër penale, por përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë sipas parashikimit në nenet e këtij ligji.

Inistitucionet përgjegjëse për zbatimin e tij janë Ministria e Mjedisit, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Financave, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura si dhe Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve.

Propozimin e projektligjit “Për shpalljen e moratoriumit të gjuetisë në Republikën e Shqipërisë”, do të kalojë për shqyrtim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.