Postuar më: 28 Shtator 2016

Ministria e Mjedisit mirëpret fillimin e punës së projektit madhor për ndërtimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve dhe prodhim energjie

Ministria e Mjedisit mirëpret fillimin sa më shpejt të punës të projektit madhor për Bashkinë Fier dhe qytetarët e saj të Qarkut Fier për ndërtimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve dhe prodhim Energjie.

Projekti për dhënien me Koncesion/PPP të ndërtimit të administrimit të impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Fier dhe prodhim energjie, është në përputhje me strategjinë dhe politikat e menaxhimit të Ministrisë së Mjedisit, duke u konsideruar me interes publik.

Ky impiant është një projekt i cili është iniciuar si një nismë e domosdoshmëri nga pushteti vendor, Bashkia Fier prej Korrik 2015. Kjo bashki i është drejtuar Ministrisë së Mjedisit dhe Ministrive të tjera të linjës, për njohjen dhe kërkesën për zgjidhje dhe ndërhyrje nga ekzekutivi me problematikën e hasur nga ata për menaxhimin e integruar të mbetjeve.

Në Tetor 2015 Këshilli Bashkiak i Bashkisë Fier shpall emergjencën mjedisore në fushën e menaxhimit te integruar te mbetjeve urbane  duke ia bërë të njohur vendimin  edhe Ministrisë së Mjedisit, Ministrive të linjës e instancave të tjera shtetërore.

Në bazë të ligjit 125/2013 “Për Koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat” të ndryshuar, Ministria e Mjedisit, në cilësinë e autoritetit kontraktues dhe në mbështetje të kuadrit ligjor: Ligjit nr. 125/2013 “Për Konçesionet dhe Partneritet Publik Privat”, të ndryshuar, si dhe VKM nr. 575 datë 10/07/2013 “Për Miratimin e Rregullave të Vlerësimit dhe të Dhënies së Konçension/Partneritet Publik Privat”, të ndryshuar vlerësoi ngritjen e një komisioni ndërinstitucional.

Ky komision ndërinsitucional u ngrit më Dhjetor 2015 me Urdhër Ministri dhe përbëhej nga 7 anëtarë më përfaqësues të Ministrive të linjës 2 anëtarë nga Ministria e Mjedisit 1 anëtar nga Ministria e Energjitikës, 2 anëtarë nga Bashkia Fier si dhe 2 anëtarë nga Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve (ATRAKO). Komisioni në këto 10 muaj është mbledhur në mënyrë periodike.

 

1 -  Projekti i impiantit FIER:

Impiant i përpunimit të  mbetjeve urbane (IPMU) me rikuperim të energjisë  (Waste to Energy Plant- WTE) , do të jetë impianti i 2-të në vend i këtij lloji.

Projekti i propozuar është një impiant i përpunimit të  mbetjeve urbane (IPMU) me rikuperim të energjisë  (Waste to Energy Plant- WTE) duke prodhuar energji elektrike.

Ky projekt madhor vjen në Shqipëri pas atij të Elbasanit, ku  gërshetohet menaxhimi i mbetjeve urbane me përfitim të prodhimit të energjisë.

Objektivi kryesor ka të bëjë me një menaxhim më të mirë të integruar të mbetjeve e ngurta urbane (MNU), shfrytëzimit në një kohë shumë më të gjatë të zonave për depozitim dhe shndërrimin e tyre në energji.

Ndërtimi i këtij impianti ka avantazhe për zonën dhe për më gjerë pasi nga njëra anë bëhet mbledhja dhe grumbullimi i MNU, problem serioz në vend, trajtimi teknologjik i MNU duke shmangur çdo impakt negativ në mjedis dhe zonën përreth.

Për më tepër, do të kemi përfitim në energji për banorët dhe bizneset e zonës dhe më gjerë. Me konkretizimin e këtij projekti pritet që të përpunohen maksimalisht rreth 180-200 ton mbeturina urbane/ditë ose rreth 70,000 ton/ vit, kapacitet ky i përllogaritur sipas gjenerimit të mbetjeve të Qarkut Fier.

Impianti  do të kete një përpunim maksimal 180- 200 ton mbetje/dite, djegia e të cilave do të sigurojë prodhim energjie elektrike prej 3.8 mW.

  • Ndërtimi dhe funksionimi i këtij impianti do të sistemojë një hërë e mirë problemin e mbetjeve në Qarkun e Fierit;
  • Krijon ndikim pozitiv në rritjen ekonomike të Shqipërisë, duke rritur edhe punësimin në vend, sidomos në Bashkinë Fier
  • Ul kostot e menaxhimit të mbetjeve nga ana e Bashkisë Fier, si dhe i jep mundësinë të krijojë të ardhura këtij institucioni.
  • Prodhimi i energjisë nga përdorimi i impantit është një siguri më tepër për furnizimin e popullatës së qytetit me energji elektrike.
  • Kohëzgjatja e këtij konçesioni të jetë 6 vjet.

 

2-  Impianti ELBASAN 

Impianti i trajtimit të mbetjeve urbane  – I pari në vend, trajtimi i mbetjeve në prodhim energjie, pritet të inagurohet brenda Nëntor 2016                                                     

Projekti i ndërtimit të impiantit të Elbasanit do t'i japë zgjidhje problemit serioz të trajtimit të mbetjeve urbane dhe për hërë të parë në Shqipëri aplikohet shndërrimi i mbetjeve në energji. 

Ky është një nga projektet më të mëdha në fushën e mjedisit , i pari projekt  i këtij lloji në vend sipas standardeve e parametrave të përcaktuara nga BE në masën 100% dhe e çertifikuar për këto standarde.

Në Nëntor 2016, për herë të parë në Shqipëri, pritet të fillojë punën me kapacitet të plotë, Projekti i Plotë “Landfilli dhe Inceneratori i Elbasanit” , së bashku me rehabilitimin e plotë të zonës, bonifikimin dhe gjelbërimin e saj, të parashikuara sipas projektit zë një sipërfaqe totale prej 36.000 m2.

Impianti i parë i trajtimit të mbetjeve urbane  që do të prodhojë  energji .

Nga mbetjet do të përftohet energji me rreth 2.85 mW, nga të cilat 0.5 mW do të jenë për vetë impiantin dhe pjesa tjetër i kalon Bashkisë së Elbasanit për të mbuluar nevojat e qytetarëve.

Ajo që është më e rëndësishme ndryshe nga landfillet e tjera, për herë të parë Bashkia e Elbasanit për depozitimin dhe trajtimin e mbetjeve e ka koston zero.

Kohëzgjatja e këtij konçesioni të jetë 7 vjet dhe pas kësaj do të dorëzohet e kalojë në pronësi të Bashkisë Elbasan.

3-    Ligji i menaxhimit të integruar të mbetjeve

Ministria e Mjedisit sqaron se ligji  i miratuar në Parlament më 22 Shtator 2016 rregullon qartazi  mënyrën e trajtimit të mbetjeve në këto impante.

Në ligjin nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime, në Nenin 2 :

b) Pas pikës 2, shtohet pika 3 si më poshtë:

“3. Ndalohet importi i mbetjeve jo të rrezikshme, për qëllim ruajtjeje, asgjësimi ose incenerimi në Republikën e Shqipërisë.”

Këto projekte konsiderohen superiore, në krahasim me depozitimin e mbetjeve direkt në landfill, si në aspektin mjedisor ashtu edhe në aspektin ekonomik.

Këto impiante si ai i Elbasanit ashtu dhe ai i Fierit do të asgjësojnë vetëm mbetjet urbane të Qarkut të tyre, për aq kapacitet sa përballojnë. Këto impiante janë projektuar për të përballuar asgjësimin  vetëm për sasinë e mbetjeve urbane që gjeneron secili qark.

Ministria e Mjedisit, në bashkëpunim me partnerët e saj, garanton që projekte të tilla janë të standardeve evropiane e parametrave të përcaktuara nga BE në masën 100% dhe e çertifikuar për këto standarde, duke sjellë eksperiencën ndërkombëtare dhe kombëtare.