Postuar më: 11 Janar 2016

Fjala e mbajtur nga Ministri i Mjedisit, Z. Lefter Koka në Prezantimin e Moratoriumit 10-vjeçar të Pyjeve

I nderuar Z. Kryeministër,

Të nderuar Pjesëmarrës,

Prezantimi i Moratoriumit 10-vjeçar për shfrytëzimin e lëndës drusore për qëllim tregtar është  dita më e rëndësishme për Ministrinë e Mjedisit! Deri dy vite më parë kemi pasur një situatë ku pyjet tjetërsoheshin dhe kemi parë se kishte raste, kur këtë e bënin vetë komunarët, pasi 60% e fondit pyjor kishte kaluar në varësinë e bashkive dhe të komunave. Qysh ditën e parë të punës sonë, ne filluam të merrnim masat për të ndërprerë këtë katastrofë të trashëguar mjedisore. Ndaluam eksportin e qymyrit të drurit, ndaluam eksportin e drurit të papërpunuar dhe ajo që ishte më e rëndësishme arritëm sensibilizimin e opinionit publik.

Ne ishim të bindur se ose duhet të bashkëjetonim me një situatë ku pyjet ishin në agoni dhe të kalonim mandatin me ministrinë e rradhës ose të përballeshim me një situatë me bindjen se shpeshherë do të na etiketonin si dëmtues.

Por ajo që vendosëm ishte ta bënim këtë punë së bashku me opinionin shoqëror dhe mediatik. Sigurisht, sot atë çka kemi realizuar në dy vite do ta konsideroja një histori suksesi. E them këtë i bindur se tre vite më parë kurrësesi nuk mund të përdorej terminologjia: prerje e paligjshme.  Në shumë raste nëse inspektori  apo Policia e Shtetit ndalonte një individ i cili dëmtonte pyjet,  ndëshkohej inspektori apo polici për  shkelje të të drejtave të njeriut dhe jo ai që dëmtonte pyjet.

Ndaj ne kërkuam që media, opinioni publik dhe ai politik të bëhen pjesë e këtij aksioni të madh të Ministrisë së Mjedisit. Ne mundëm të bëjmë reformën administrative, e cila do të konsiderohej një nga hapat më të rëndësishëm të këtij institucioni me krijimin e Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve, Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, dhe së fundmi Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura. Këto tre institucione përditë e më shumë performojnë në mënyrë cilësore.

Do të ndalem tek ISHMP, ku vetëm në dy vite janë mbi  7,200 inspektime, janë gjobitur mbi 1,030 subjekte  me një vlerë mesatare prej 75 milionë lekë të reja. Në 70 raste janë bërë kallëzime penale. 6200 metra kub lëndë drusore të sekuestruara. Sigurisht, që e konsideroj një punë të madhe dhe voluminoze për faktin e vetëm se një inspektor i ISHMP-së duhet të inspektojë 15 mijë ha pyje, ndaj të kuptohemi se është i pamundur kontrolli edhe për shkak të logjistikës së mangët. Ajo që kuptohet ka qenë një vullnet dhe dëshirë shumë e madhe nga ana jonë. Për këtë arsye Qeveria Shqiptare ka marrë iniciativën, që këtë vit të montojë në të gjithë territorin shqiptar në akset kryesore ku dhe mund të lëvizë lënda drusore kamera termike, të cilat do të na mundësojnë qoftë kontroll, qoftë transperencë, por edhe në shumë raste t’i paraprijnë djegies së qëllimshme të zjarreve.  Ajo që gjetëm, ishte panorama e plotë që u prezantua në këtë takim, është historia e 70 viteve pyje në Shqipëri, por nga ana tjetër më duhet të theksoj se gjetëm mbi 400 kompani të cilat ishin të pajisura me leje shfrytëzimi të tokës dhe nëntokës shqiptare, por nuk kishin lidhur as edhe një kontratë të vetme me Ministrinë e Mjedisit për të zhdëmtuar atë sipërfaqe që po shfrytëzonin. Ne mundëm që në këto dy vite të gjitha këto kompani të lidhin marrëveshje me Ministrinë e Mjedisit dhe sot të jenë edhe ata kontribues të asaj çfarë kanë dëmtuar.  Thënë kjo me pak fjalë, kërkuam të bindnin një pjesë të industrialistëve, por edhe të disa ligjvënësve, ku mirëpasja është  e ndryshme nga mirëqënia, çfarë do të thotë se edhe nëse je i kamur në para nuk mund të jetosh në një mjedis të shkretuar.  Më vjen mirë, që shumë prej tyre reaguan pas një gjumi letargjik të gjatë. E them këtë për faktin, se sot në qarkun e Ersekës janë mbi 80% e pyjeve private, një situatë që nuk duhet të ndodhte dhe kurrësesi në një nga zonat me sipërfaqe më të madhe pyjore. Dhe të mendosh kulturën, edukatën për mjedisin të shoqërisë shqiptare që natyrisht në bahçen e tij, sigurisht kërkon që të mos i japë llogari askujt. Dhe ne shpesh jemi paragjykuar, kur kemi kërkuar që edhe në pronë private të japim leje shfrytëzimi apo pastrimi. Por kjo jam i bindur që nuk na dekurajon, përkundrazi na motivon.

Unë ju garantoj se isha i bindur që në 2013-ën, kur morëm këtë iniciativë, shumë njerëz që kishin heshtur do të kërkonin të gjenin fajtorin e asaj që ishte krijuar. Nga ana tjetër jam i bindur që ju, së bashku me qeverinë shqiptare do të jepni vlerësimin e duhur se ajo çfarë po bëjmë sot është një nga vendimet më historike. Po ndërhyjmë në një sektor që është një kontribues shumë i madh i GDP-së së vendeve. Shumë vende të zhvilluara të Europës, pyjet dhe natyra janë dyfish i GDP-së vendit, dhe nuk ka përse të mos jetë kjo edhe në Shqipëri. Të kuptohemi që nëse sekuestrimi i karbonit, çlirimi i oksigjenit, biodiversiteti nuk do të ekzistonin, në mënyrë artificiale ne duhet të paguanim shumë më shumë nga ajo çka natyra na dhuron, por pa folur.

Dhe sigurisht që   natyra nuk foli së bashku me politikanët shqiptarë ndër vite. Dhe ne, të detyruar morëm këtë vendim për të shpëtuar këtë tokë, për të shpëtuar vendin nga erozioni, për t’i dhënë vendit një ekonomi më të zhvilluar e më të qëndrueshme.

Sigurisht, që do të vazhdojmë të kemi sulme, ndoshta akuza, ndoshta keqkuptime, por kjo kurrsesi nuk duhet të ndalë punën tonë. Puna jonë sot fillon me një fazë të re, me një fazë ku Ligji i ri i Pyjeve do të kalojë 100 % pyjet në administrim të qeverisjes vendore. Do të inspektohet në mënyrë profesionale dhe rigoroze nga ISHMP dhe Qeveria Shqiptare. Ajo që është e rëndësishme dhe për çfarë jemi mbledhur sot është vendosja e një moratoriumi 10 - vjeçar për shfrytëzimin e lëndës drusore për qëllim tregtar. Kjo masë e parë në një këndvështrim mund të konsiderohet drastike. Por unë jam i bindur që shumëkush nesër do ta vlerësojë si një masë të nevojshme dhe të domosdoshme.

Nga ana jonë kërkohet një mobilizim tërësor për t’u bërë i implementueshëm dhe i realizueshëm  dhe unë jam i bindur që do të mundemi ta kontrollojmë sërish së bashku me opinionin publik, së bashku me mediat. Padyshim që ne kemi pasur shpesh edhe denoncime në portalin e qeverisë shqiptare  apo pranë Ministrisë së Mjedisit raste kur ka patur edhe inspektorë, bashkëpunëtorë apo edhe njerëz të cilët kanë mbyllur një sy për të vazhduar për të lejuar këtë dëm, i konsideruar në mentalitetin shqiptar i një fushe të parëndësishme, por që të gjithë së bashku sot kemi kuptuar që është një moment ku historia dhe brezat që do të vijnë do të na gjykojnë dhe vlerësojnë. Ashtu siç do të vlerësojnë dhe gjykojnë ata të cilët e sollën në këtë situatë mjedisin në Shqipëri.

Ky vendim nuk ka qenë aspak i lehtë, për tu marrë. Pas shumë konsultash rezultoi se të gjitha masat e marra, të gjitha ndërhyrjet e bëra nuk dhanë rezultatin e shumëpritur nga Ministria e Mjedisit dhe nga qytetarët shqiptarë. Ne vazhdojmë të kemi një çekuilibër të shfrytëzimit të pyjeve në ringjalljen natyrore të tyre. Edhe pse, sot kemi mundur nga trefish më shumë shfrytëzim të ulemi në dyfish apo më pak. Gjithsesi është një raport i zhdrejtë i cili thjesht zgjat kohën, por nuk zgjidh në mënyrë radikale problemin. Ndaj ky moratorium besoj  është e vetmja masë që do t’i japë një zgjidhje përfundimtare këtij problemi që ka territori shqiptar.

Unë edhe njëherë ju falenderoj për kontributin, jo vetëm ju por edhe mediat, opinionin publik që janë pjesë e aksioneve tona dhe jam i bindur që sot së bashku me këtë sensibilizim, me këtë temë dite tashmë të bërë për mjedisin, do të mundemi ta rehabilitojmë dhe të korrigjojmë situatat e krijuara për t’i lënë vendit një të ardhme të ndryshme ashtu siç e dëshirojmë të gjithë së bashku dhe ashtu siç dëshirojmë t’ua lëmë fëmijëve tanë.