Postuar më: 05 Dhjetor 2015

Fjala e Ministrit të Mjedisit Z. Lefter Koka në Parlamentin Shqiptar për ProjektBuxhetin 2016 të Ministrisë së Mjedisit

Dy vite  më  parë,  pak kush besonte në vullnetin dhe vendosmërinë  e Ministrisë  së  Mjedisit për ta reformuar rrënjësisht këtë sektor jetik, por të lënë  krejtësisht në  harresë përmbi dy dekada.

Pakkush besonte në mundësinë e Ministrisë së  Mjedisit për të  lobuar në kabinetin qeveritar, për më  shumë vëmendje ndaj atij pirgu të jashtëzakonshëm problemesh të  mbartura mjedisore.

Pas 2 vitesh jam këtu, përsëri para jush për angazhimin tim të marrë në këtë Qeveri.

Jo  për të  thënë,  se ne ja dolëm, në  vetëm 2 vite të  bëjmë  historinë , por për të pohuar, se pa dyshim ne ja dolëm që  në  vetëm 2 vite,  të   hapim një  Kapitull krejt të  Ri në  Mjedis

Në  vetëm dy vite,  ne mundëm të  sjellim në  jetë  3 institucione të  reja; Inspektoriatin Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve, Agjensinë Kombëtare e Mjedisit dhe së fundmi Agjensinë Kombëtare të  Zonave të  Mbrojtura.

Ato sot monitorojnë  dhe kontrollojnë  rigorozisht, territorin nën administrimin e Ministrisë  së  Mjedisit, edhe pse na duhet të  pranojmë se ende janë me logjistikë e kapacitete infrastrukturore të kufizuara, ashtu sikundër konstaton e rekomandon edhe Progres Raporti 2015-ës.

Do doja të ndalesha pak në vlerësimet e këtij Progres Raporti për sektorin e Mjedisit pasi për herë  të  parë  kemi vlerësime pozitive për punën dhe përpjekjet tona, sa i përket mbrojtjes së natyrës apo përafrimit të legjislacionit mjedisor me atë  europian.

Falë  moratoriumit të gjuetisë, ne mundëm të  rivitalizojmë  faunën e egër, e cila në  statistikat dramatike të  Shtator 2013 ishte drejt zhdukjes së  plotë .

Në  vetëm 2 vite,  janë  dhjetra investime të  iniciuara në  Zona të  Mbrojtura,  nga Thethi në  Llogara, investime këto të  munguara për shumë  e shumë  vite, të  cilat po krijojnë  të  gjitha kushtet e nevojshme për zhvillimin e një  turizmi të  qëndrueshëm.

Sot Agjensia Kombëtare e Mjedisit, është  partnere dinjitoze e Agjensisë  Europiane të  Mjedisit, ku raportohet në  kohë  reale mbi një  sërë  parametrash Mjedisor; sa i përket cilësisë  së  Ajrit, si dhe ujërave sipërfaqësorë dhe nëntokësorë .

Trashëguam një informalitet të pazakonshëm ku mbi 90% e subjekteve ishin të  papajisur me leje mjedisore. Megjithatë, falë  punës së Inspektoriatit Shtetëror të  Mjedisit, ja dolëm që në  vetëm 2 vite, t’i përmbysim krejtësisht këto raporte.

Parimi ndotësi paguan dhe dëmtuesi rehabiliton vazhdon të  mbetet udhërrëfyes i rëndësishëm në  punën tonë  të  përditëshme

Projektligji i ri i Pyjeve dhe Kullotave i cili pritet të miratohet brenda muajit Dhjetor, sjell absolutisht risi të rëndësishme. Kjo si në  kuadër të  proçesit të  deçentralizimit ashtu edhe sa i përket shëndetësimit të  proçesit të  menaxhimit të  Pyjeve.

Ne besojmë,  se ky ligj do të shenojë një  kthesë  historike që  do të  garantojë  zhvillimin e qëndrueshëm të  pyjeve, kësaj pasurie të jashtëzakonshme kombëtare.

Në dy vite, janë  mbi 200 akte ligjore dhe nënligjore të  hartuara dhe miratuara nga Ministria e Mjedisit pa përmendur këtu dhe mijëra urdhëra dhe udhëzime, të cilat vendosin standarde të reja Mjedisore në  linjë  të  plotë  me direktivat e Bashkimit Europian.

Sektori i mbetjeve, plagë  mjedisore për vendin dhe tejet problematik sa i përket jo vetëm investimeve të  munguara, por edhe ndarjes jo të  qartë  të  kompetencave midis institucioneve qëndrore dhe vendore, në këto 2 vite ka qenë  në  fokus të punës dhe investimeve të  Ministrisë  së  Mjedisit.

Kemi depozituar pranë  Kuvendit të  Shqipërisë,  një  projektligj tejet të  rëndësishëm, siç është  ai i Sistemit të  Depozitës për Menaxhimin e Integruar të  Mbetjeve dhe presim miratimin e tij brenda këtij viti.

Ky projektligj do të krijojë incentivën e nevojshme për implementimin e hallkës së  parë  dhe më  kryesore në  hierarkinë  e menaxhimit të  mbetjeve, atë të  parandalimit, duke fuqizuar njëkohësisht edhe industrinë  e riciklimit.

Gjithashtu, po tentojmë të krijojmë zona model, si ajo e  Elbasanit që  do pasohet shumë  shpejt nga Fieri, ku po rehabilitohet plotësisht vend-depozitimi ekzistues i mbetjeve. Ka përfunduar ndërtimi i landfillit të  ri në Elbasan dhe brenda këtij viti përfundon edhe ndërtimi i impiantit të  parë në  Shqipëri për prodhimin e Energjisë  nga mbetjet.

Cfarë  përmenda më  sipër, si dhe shumë  reforma të  tjera të  ndërmarra nga kjo Ministri kanë  pasur mbështetjen e plotë  të  partnerëve dhe donatorëve të huaj, të cilët gjej rastin t’i falenderoj, por pa diskutim edhe një  mbështetje buxhetore në  rritje të  qeverisë  shqiptare

Buxheti faktik i Ministrisë  së  Mjedisit për vitin 2016 kap vlerën e 3 miliardë e 553 milion Lekë  ose 0.23% e Produktit të  Brendshëm Bruto, duke shënuar një  rritje gati dyfish me buxhetin e vitit 2013, i cili ishte në  nivelin e 0.12%.

Falë këtij projektbuxheti, Ministria e Mjedisit do të  mund të  përmbushë  disa nga angazhimet e saj madhore, të  cilat ndikojnë  drejtëpërdrejtë  në  përmirësimin e ndjeshëm të  cilësisë  së  jetës për qytetarët shqiptarë.

Impianti për prodhim energjie nga mbetjet në  Fier do të  ketë  impakt të  ndjeshëm social dhe ekonomik për mbi 300 mijë  banorët e saj, duke i dhënë  zgjidhje përfundimtare këtij problemi në  një  qark, që  gjeneron rreth 10% të  totalit të  mbetjeve në  rang vendi.

Mbetjet spitalore dhe farmaceutike, një  gangrenë mjedisore dhe shëndetësore e trashëguar, do të  kenë më  në  fund, një  zgjidhje të  integruar që  do të  formalizojë  një  kategori me rrezikshmëri të  lartë  për shëndetin e njerëzve.

Kemi parashikuar në këtë  projektbuxhet, implementimin e një  projekti pilot për pastrimin e lumenjve, duke filluar me lumin Shkumbin, ku falë metodave moderne të  rrjetëzimit do tentojmë  të  shmangim turpin e shndërrimit të  ujrave brenda dhe jashtë  kufijve në  hambare mbetjesh.

Sistemi i monitorimit me kamera të  rrugëve kryesore të  transportit të lëndës drusore, që pritet të instalohet brenda 2016-ës, do të  rrisë  ndjeshëm transparencën dhe efiçensën e strukturave të  kontrollit.

Investimet në  Zona të  Mbrojtura, falë  mbështetjes buxhetore, por kryesisht edhe falë  financimit të  huaj, do t’i japin jetë  projektit të  Ministrisë  së  Mjedisit për turizëm 360 ditë, duke i shndërruar këto mrekulli të natyrës shqiptare, në  qendra të  rekreacionit për turistët vendas dhe ata të  huaj.

Bashkitë  e sapokrijuara në  sajë  të  reformës administrativo-territoriale, mbas përgjegjësisë  së  deleguar për menaxhimin 100% të  fondit pyjor, me Ligjin e Ri që presim të hyjë në fuqi, do të  përfitojnë  nga buxheti Ministrisë  së  Mjedisit 100 milion Lekë  të  dedikuara për pyllëzime të  reja, duke vazhduar proçesin e nisur 2 vite më  parë,  për rehabilitimin e fondit pyjor të  degraduar.

 

Të nderuar deputetë,

Mjedisi shqiptar në këto dy vite është kthyer në qendër të vëmendjes së qeverisë, shoqërisë dhe opinionit publik.

Ky hap madhor duhet të pasohet nga të tjera zhvillime të rëndësishme, sepse mjedisi është sektori ku dëmet më shumë se kudo tjetër  maten me kohën, shëndetin dhe jetën e qytetarëve.

E tashmja dhe më  shumë  e ardhmja janë  sfida jonë, busulla për të na drejtuar te prioritetet më të rëndësishme dhe për të marrë vendime që kapërcejnë kufijtë e një brezi.

Është trashëgimia që duhet t’ju lëmë brezave të ardhshëm dhe për këtë nevojitet kontributi i të gjithëve.

Ky mbetet misioni im, detyra ime dhe e i të gjithë ekipit tim.

 

Ju faleminderit,