Postuar më: 29 Qershor 2016

Fjala e plotë e Ministrit Koka në Asamblenë e NAP, Shqipëri

Të nderuar përfaqësues të rrjetit global NAP,

Të nderuar Partnerë,

Të nderuar Donatorë,

Të nderuar Pjesëmarrës,

 

Më lejoni t’ju uroj të gjithëve mirëseardhjen dhe njëkohësisht të shpreh kënaqësinë e pjesëmarrjes në asamblenë e NAP, që zhvillojmë sot në Tiranë,  për lançimin e dokumentit Kombëtar për Përshtatje ndaj Ndryshimeve të Klimës.

Jam shumë krenar që Shqipëria është shteti i parë, që me mbështetjen e Rrjetit Global të NAP organizon  një Asamble NAP e ka mbledhur së bashku aktorë dhe vendimarrës të rëndësishëm në nivel kombëtar dhe ndërkombëtarë.

Asambleja e NAP-it është një mundësi për aktorët kryesorë në Shqipëri, duke konsideruar në këtë proces si kyç edhe donatorët dypalësh dhe shumëpalësh, për të biseduar mbi hapat e rradhës që duhen marrë për ta vënë në veprim këtë plan kombëtar

Ndryshimet klimatike përbëjnë një sfidë globale, dhe si të tilla krahas fokusit global i duhet dhënë vëmendje të veçantë edhe atij lokal.

Të gjithë ne, aktorët e përfshirë në këtë proçes, jemi të vetëdijshëm se rajoni i Mesdheut në nivel global konsiderohet si një “pikë e nxehtë” ndaj ndryshimeve klimatike dhe, katastrofat natyrore si përmbytjet, thatësirat apo mungesa e ujit, kërcënimet mjedisore mbi biodiversitetin, burimet natyrore, zonat e banueshme dhe shëndetin, janë një sfidë reale për rajonin tonë.

Në këtë realitet, ku vendi ynë është përballur dhe përmbytje të mëdha në këto 5 vitet e fundit, qeveria shqiptare ka reaguar në mënyrë proaktive  për të përmbushur disa nga detyrimet që vijnë nga Konventat dhe Marrëveshjet ndërkombëtare, në të cilat është palë, për të përputhur qëndrimet dhe veprimet e saj me politikat e BE.

Shqipëria prezantoi gjatë COP21 në Paris Kontributin Kombëtar të Synuar dhe nënshkroi në Neë York Marreveshjen e Parisit në 22 Prill të këtij viti, ku aktualisht jemi në fillimet e  procesit të  ratifikimit të kesaj marreveshjeje.

Më duhet të theksoj se për herë të parë në Shqipëri, ne po flasim për Planin Kombëtar të Përshtatjes, risi kjo në fakt, si për vendet e Ballkanit apo edhe për vetë vendet e BE-së.

Ministria e Mjedisit si pararojë e angazhimeve dhe aktiviteteve për mbrojten e mjedisit, ka përkrahur dakordësimin në nivel global ndaj ndryshimeve klimatike.

Sot vendi ynë lançon dokumentin e parë zyrtar politik për Adaptimin ndaj Ndryshimeve Klimatike, që synon përgatitjen e qeverisë për të përballur me sukses këto efekte.

 

Si dokument politikash ndërsektoriale, NAP vendos 3 objektiva kryesorë:

  • Pakësimin e dëmeve të përmbytjeve;
  • Rritjen e aftësisë ripërtëritëse të bujqësisë nga përmbytjet;
  • Sigurimin e cilësisë së ujit të pijshëm pavarësisht nga ndikimet e ndryshimit klimatik.

 

 

Të nderuar Pjesëmarrës,

Më duhet të them se, Plani Kombëtar i Përshtatjes-NAP paraqet një punë 2-vjeçare intensive dhe serioze të grupit ndërministror të punës.

Ky dokument në vendin tonë e prek në 6 sektorë atë të mjedisit, bujqësisë, shëndetësisë, mbrojtjes civile, turizmit dhe zhvillimit urban, me 15 masa kombëtare prioritare.

Këto masa synojnë jo vetëm rritjen e kapaciteteve institucionale, por edhe adresimin e ndryshimeve të klimës në këto sektorë , si dhe nxitjen e interesit të bashkëpunëtorëve ndërkombëtarë për zbatimin e këtyre masave pas miratimit të tij nga qeveria shqiptare.

Ministria e Mjedisit i ka paraprirë një pjesë të këtyre masave, sidomos në drejtimin e forcimit të kapacitet teknike në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtar në vendin tonë.

Ndaj doja të ndalesha e të kërkoja këtu vëmendjen e partnerëve tanë dhe donatorëve  për të siguruar në vazhdimësi mbështetjen financiare dhe ekspertizën e tyre në këtë rrugëtim të gjatë që na pret. Pas lançimit të këtij dokumenti politik kaq të rëndësishëm që Shqipëria bën sot në këtë Asamble, mbështetja juaj do të ishte domosdoshmëri për të arritur qëllimin final të minimizimit të dëmeve me pasoja sociale e ekonomike në vendin tonë, të ardhura nga ndryshimet klimatike.

Unë jam i bindur se në këtë takim do të arrihet të gjehet mbështetja e duhur politike për zbatimin e NAP dhe do të sigurohet mbështetja e donatorëve për zbatimin e objektivave prioritare të identifikuara.

Së fundmi, unë shpreh bindjen time se të gjithë bashkë do të vazhdojmë me përgjegjësi këtë angazhim serioz që kemi ndërrmarrë, për të ndihmuar Shqipërinë të minimizojë kostot e rreziqeve potenciale nga ndryshimi i klimës. E për t’ia dalë kësaj, do të marrim të gjithë përgjegjësitë, si vendimarrësit në nivel qëndror e vendor, po ashtu edhe bizneset, komunitetet dhe qytetarët.

Në mbyllje, më lejoni të shpreh mirënjohjen time dhe atë të Ministrisë që unë përfaqësoj për përfshirjen tuaj aktive për finalizimin e dokumentit, si dhe t’u jap një falenderim të veçantë përfaqësuesve nga Rrjeti Global i NAP, si dhe përfaqësuesve nga Filipinet e Grenada të cilët do të ndajnë sot në këtë Asamble eksperiencat e tyre të cmuara.

Dhe padyshim  shprehim mirënjohjen  qeverisë Gjermane dhe GIZ për mbështetjen e proçesit dhe qasjen e tyre.

I uroj kësaj asambleje një zhvillim të mbarë e frytdhënës të punës së saj sot.

 

Ju faleminderit!