Postuar më: 18 Tetor 2016

Fjala e plotë e Ministrit Koka në prezantimin e “Komunikimit të Tretë Kombëtar për Ndryshimet Klimatike në Shqipëri"

I nderuar z. Williams,

Të nderuar pjesëmarrës,

Në harkun kohor të një viti, gjendemi për të disatën herë përballë  një teme të rëndësishme, siç janë ndryshimet klimatike.

Ky fakt tregon se gjithnjë e më shumë institucionet shtetërore shqiptare në përgjithësi dhe Ministria e Mjedisit në veçanti  kanë duke intesifikuar angazhimin dhe punën e tyre në adresim të këtij fenomeni.

Ndryshimet klimatike përbëjnë një sfidë globale, dhe si të tilla krahas fokusit global i duhet dhënë vëmendje të veçantë edhe atij lokal.

Të gjithë ne, aktorët e përfshirë në këtë proçes, jemi të vetëdijshëm se rajoni i Mesdheut konsiderohet si një “pikë e nxehtë” ndaj ndryshimeve klimatike dhe katastrofave natyrore. Përmbytjet, thatësirat apo mungesa e ujit, kërcënimet mjedisore mbi biodiversitetin, burimet natyrore, zonat e banueshme dhe shëndetin  janë një sfidë reale për rajonin tonë dhe për Shqipërinë.

Në këtë kontekst, vendi ynë është përballur me përmbytje të mëdha në këto 5 vitet e fundit. Qeveria shqiptare ka reaguar në mënyrë proaktive dhe ngelet e përkushtuar për të përmbushur detyrimet që vijnë nga Konventat dhe Marrëveshjet ndërkombëtare, në të cilat është palë, për të përputhur qëndrimet dhe veprimet e saj me politikat e BE.

Sot mbajmë Kontributin e 3-të Kombëtar për ndryshimet klimatike në Shqipëri, kur vetëm javën e kaluar  disa qytete në Shqipëri patën përmbytje masive, me dëme të mëdha të shkaktuara komunitetit dhe ekonomisë lokale.

Për herë të parë, në këto vitet e fundit tashmë fenomenin e përmbytjeve nuk po hasim vetëm në zonën veriore të vendit, por edhe në jug.

Faktori NJERI, në vendin tonë ka qenë i drejtpërdrejtë, me ndëhyrjet abuzive dhe pa kriter sidomos pas viteve 90, çfarë ka sjellë ndikim në këtë proçes shumë herë më të shpejtë se proçeset natyrore që ndikojnë në ngrohjen globale.

Kanë ndodhur ndërhyrje ekstreme ndaj natyrës dhe mjedisit si shpyllëzime dhe zjarrëvënie të qëllimshme, përdorim pa kontroll të kimikateve, keqadministrim të mbetjeve urbane.

Absolutisht këto dhe të tjera janë fenomene që sot i gjen prezent në mbarë globin. Por në vendet e zhvilluara është zhvillimi i shpejtë i industrisë, ai që ndikon dukshëm në proçesin e ndryshimeve klimatike.  

Shqipëria sot për sot nuk është përballur me industri të zhvilluar. Nga ana tjetër zhvillimi aktual ekonomik ka kufizuar përdorimin masiv të teknologjive moderne, të cilat kërkojnë burime të konsiderueshme energjitike.

Por ne, ndryshe nga shumë vende kemi vuajtur për 25 vite lakminë e njeriut në dëm të natyrës dhe një  politikbërje totalisht apatike në mbrojtje të mjedisit dhe natyrës.

Siç e kemi theksuar, Shqipëria sot ka nivele shumë të ulëta të emetimit të gazeve. Kemi një kontribut 3.3 - 4.5 herë më të vogël se mesatarja e vendeve të industrializuara, në çlirimin e dioksidit te karbonit.

Pavarësisht kësaj, ekspertët mendojnë se deri në të fundshekullit në Shqipëri do të kemi një rritje të temperaturave mesatare vjetore në të gjithë vendin. Krahas kësaj pritet që rreshjet të pakësohen.

Por ajo që pritet të ndikojë më shumë në vendin tonë janë katastrofat natyrore si përmbytjet dhe thatësirat, që kanë impakt të drejtëpërdrejtë me kosto të larta në ekonomi dhe veçanërisht në popullatë.

Të nderuar pjesëmarrës,

Detyrimi kryesor që ka vendi ynë për  përgatitjen dhe dorëzimin nga Ministria e Mjedisit  e Komunikimeve, Raporteve Kombetare për Ndryshimet Klimatike është realizuar me sukses.

Por jo vetëm kaq, për herë të parë në këto 25 vite Qeveria Shqiptare ka kthyer vëmendjen e saj ndaj Mjedisit.

I gjithë territori i vendit është prekur dhe do të vazhdojë të preket nga efektet e ndryshimeve të klimës, kjo për arsye të shtrirjes gjeografike dhe topografisë, por më të ndikuara do të vijojnë të mbeten zonat fushore dhe ato bregdetare në veçanti, prej erozionit intensiv që po haset çdo ditë e më shumë.

Një ndër bashkitë më të prekura sot është ajo e Lezhës. Vetëm pak javë më parë ne lançuam në këtë bashki, projektin për Rikuperimin e Lagunës Kune-Vain ndaj efektit të ndryshimeve klimatike. Një projekt risi në vendin tonë, me kontribut të drejtëpërdrejtë në zhvillimin ekonomik dhe social të zonës.

Ministria e Mjedisit ka në fokus të punës së saj investimin në vazhdimësi në bashkitë e vendit të prekura prej këtyre efekteve, për parandalimin e tyre, për të cilat duhet të pranojmë se shpesh kanë qenë prezent me pasoja të rënda në këto zona.

Më duhet të nënvizoj, se ndryshimi i klimës pritet të ndikojë në të gjithë sektorët e ekonomisë së vendit gjithashtu edhe burimet natyrore të tij.

Ne sot pranojmë se Bujqësia është një nga fokuset kryesore për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë. Nëse ne nuk veprojmë sot dhe shpejt, ky sektor si më i kërcënuari nga ndryshimet klimatike, nesër mund të përballet me pasoja edhe më të rënda; nga përmbytjet e zonave fushore, në prishjen e të mbjellave, ne rënien e rendimentit të kulturave bujqësore dhe deri në kripëzimin e  tokave bujqësore në zonën bregdetare.

Masat e menjëhershme dhe angazhimet konkrete që kemi marrë janë domosdoshmëri për të shmangur ndotjen potenciale të ujërave nëntokësorë, pakësimin e prurjes së lumenjve – me pasoja në sistemin energjitik dhe pakësimin e  rezervave të ujit të pijshëm.

Thatësirat dhe kushtet e vështira atmosferike mund të ulin potencialin prodhues të pyjeve, për pasojë dhe uljen e funksionit mbrojtës të tyre ndaj tokës, si erozioni dhe degradimi .

Shqipëria pak muaj më parë organizoi asamblenë NAP, që e rendit atë si shtetin e parë, ku lançoi dokumentin e parë zyrtar politik për Adaptimin ndaj Ndryshimeve Klimatike, që synon përgatitjen e qeverisë për të përballur me sukses këto efekte dhe mblodhi aktorë dhe vendimarrës të rëndësishëm në nivel ndërkombëtarë por edhe atë lokal.

Më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj, se për herë të parë në Shqipëri, flasim për Plan Kombëtar të Përshtatjes, risi kjo, si për vendet e Ballkanit apo edhe për vetë vendet e Bashkimit Evropian.

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Ne sot jemi në një moment historik në Shqipëri.

Ministria e Mjedisit dhe qeveria shqiptare ndërrmori një reformë historike, siç ishte ajo e Moratoriumit 10-vjeçar të Pyjeve, për të shëndetësuar ekonominë pyjore në vend dhe gjeneruar e shtuar sipërfaqen e gjelbër.

Dora e njeriut në vendin tonë dëmtoi dhe preu pa mëshirë, mijëra hektarë pyje.

Humbja e mbulesës pyjore ka ekspozuar tokën ndaj erozionit dhe degradimit, ka bërë që prurjet në lumenj e grykëderdhje të jenë maksimale dhe zona të tëra të përmbyten.

Është shumë e rëndësishme të ndalem tek fakti se,  Komunikimi i Tretë Kombëtar, për të cilin jemi mbledhur sot,  nuk do të mbetet vetëm në hartimin e skenarëve dhe vlerësimin e ndikimit të ndryshimeve klimatike.

Në planet e hartuara parashikojmë masa konkrete për parandalimin e ndikimeve negative të ndryshimeve klimatike, kryesisht të konsideruara  në Planin Kombëtar për Planifikimin e Territorit dhe ai për Bregdetin.

Nisma konkrete janë marrë nga qeveria jonë me politika mbështetëse për rritjen e efiçensës së energjisë, penetrimin e energjisë së rinovueshme, për transport dhe bujqësi të qëndrueshme, si dhe një menaxhim më të mirë të mbetjeve urbane.

Rekomandimet në dokumentin e Komunikimit të Tretë Kombëtar janë konkrete dhe kërkojnë përfshirjen e shumë aktorëve.

Shqipëria është një vend me ekonomi të dekarbonizuar, kemi marrë angazhim të reduktojmë  deri në vitin 2030, emetimet e dioksidit të karbonit me 11.5% krahasuar me skenarin bazë.

Me kënaqësi them se vendi jonë është pjesë aktive e kësaj marrëveshje dhe ne arritëm të dorëzonim Kontributin Kombëtar të Synuar para afateve. Ne u rreshtuam në krah të 196 vende që miratuan Marrëveshjen e Parisit në Dhjetor 2015.

Kjo do të garantojë një klimë më të sigurt, jo vetëm për vendin tonë e për qytetarët e sotëm, por edhe për brezat që do të vijnë.

Ne të gjithë duhet të pranojmë se ndryshimet klimatike janë sot një realitet dhe kërcënim serioz i sigurisë dhe mirëqenies së një vendi.

Është detyra jonë tu lëmë trashëgimi brezave të ardhshëm një mjedis të shëndetshëm, dhe të japim një rol një rol pozitiv, në këtë sfidë globale dhe të konsiderohemi si kontribues të Mjedisit dhe jo dëmtues të tij.

Në këtë aspekt, ne kemi vetëm një sfidë: të qëndrojmë në të njëjtat nivele duke pasur një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, miqësor me mjedisin, por pa e penguar  aspak zhvillimin e vendit

Shqipëria në angazhimin e saj ka prioritetet në këtë Kontribut përkatësisht në  3 fusha kryesore: transporti, industria dhe ndërtimi, të përllogaritura me një kosto totale masash 687 milionë Euro.

Thënë në shifra konsiderohet relativisht kosto  jo e vogël, por faktikisht nuk kërkon investime as në buxhetin e shtetit, as nuk është kosto tek qytetarët shqiptarë.

Ky angazhim kërkon ndërgjegjësim të qytetarëve shqiptarë, kontroll dhe zbatimi të ligjit më rigoroz nga insitucionet shtetërore.

Kryefjala jonë është shtimi i sipërfaqeve të gjelbërta. Ky duhet të jetë dhe angazhimi kryesor i pushtetit lokal që menaxhon sipërfaqen pyjore në vend. Kemi gjithë mundësitë dhe kapacitetet që ta bëjmë këtë, gjatë këtij 10 vjeçari që vendi është në efektin e moratoriumit.  

Ministria e Mjedisit si pararojë e angazhimeve dhe aktiviteteve për mbrojten e mjedisit, ka përkrahur dakordësimin në nivel global ndaj ndryshimeve klimatike.

Ajo i ka paraprirë një pjesë të këtyre masave, sidomos në drejtimin e forcimit të kapaciteteve teknike në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë në vendin tonë.

Ndaj doja të ndalesha e të kërkoja këtu vëmendjen e partnerëve tanë dhe donatorëve për të siguruar në vazhdimësi mbështetjen financiare dhe ekspertizën e tyre në këtë rrugëtim të gjatë që na pret.

Mbështetja e tyre është domosdoshmëri për të arritur qëllimin final të minimizimit të dëmeve me pasoja sociale e ekonomike në vendin tonë, të ardhura nga ndryshimet klimatike.

Së fundmi,

Unë shpreh bindjen time se të gjithë bashkë do të vazhdojmë me përgjegjësi këtë angazhim serioz që kemi ndërrmarrë, për të ndihmuar Shqipërinë të minimizojë kostot e rreziqeve potenciale nga ndryshimi i klimës.

E për t’ia dalë kësaj, do të marrim të gjithë përgjegjësitë, si vendimarrësit në nivel qëndror e vendor, si partnerët tanë të huaj, po ashtu edhe bizneset, komunitetet dhe qytetarët. Bashkëpunimi e bashkërendimi sidomos me qytetarët shqiptarë është kyç për rritjen e ndërgjegjësimit të tyre si dhe realizimin me sukses të nismave tona.

Në mbyllje,

më lejoni të shpreh mirënjohjen time për gjithë palët e angazhuara dhe që kontribuan për të arritur finalizimin me sukses të Kontributit të Tretë Kombëtar, ekipin  e  Ministrisë së Mjedisit për profesionalizmin dhe angazhimin e treguar dhe një falenderim të veçantë UNDP-së në Shqipëri për mbështetjen e tyre të çmuar, jo vetëm në këtë Kontribut, por edhe në shumë sektorë të Mjedisit

 

Ju faleminderit!