Postuar më: 26 Maj 2016

Fjala e plotë e Ministrit Koka në takimin e nivelit të lartë për mekanizmin koordinues dhe bashkëpunimin në pylltari mes Republikës Popullore të Kinës dhe 16 vendeve të Evropës Qendrore dhe Juglindore.

Ljubjanë, më 24 Maj 2016

I nderuar z. Zidan, Ministër i Agrikulturës, Pyjeve dhe Ushqimit të Republikës së Sllovenisë

I nderuar Z. Jianlong, Ministër i Shtetit të Administrimit të Pyjeve të Republikës Popullore të Kinës,

Të nderuar homologë,

Të nderuar pjesëmarrës,

 

Më lejoni të shpreh kënaqësinë time, që jemi mbledhur në këtë takim të parë të nivelit të lartë për mekanizmin koordinues dhe bashkëpunimin në pylltari mes Republikës Popullore të Kinës dhe 16 vendeve të Evropës Qendrore dhe Juglindore.

Marrëveshja e mirëkuptimit dhe kjo konferencë është një përpjekje serioze për zhvillimin e qëndrueshëm të pyjeve që sot fillon të konkretizohet nëpëmjet angazhimit tonë për  objektivat e Planit të Veprimit.   Kjo nismë vjen në  në një kohë kur bashkëpunimi i vendeve të rajonit më shumë se sa një nevojë, duhet të konsiderohet si domosdoshmëri nga të gjithë ne.

Pyjet ofrojnë produkte dhe shërbime që kontribuojnë drejtpërdrejtë në mirëqenien e qytetarëve tanë dhe janë element vital për ekonominë e vendeve tona. Zhvillimi i strategjive dhe politikave efektive në sektorin pyjor siguron e çon drejt një zhvillimi të qëndrueshëm për çdo vend. Pyjet  luajnë një rol thelbësor në ruajtjen e biodiversitetit dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike duke ofruar një gamë të gjerë të mallrave dhe shërbimeve, të tilla si lëndë e rinovueshme të para, furnizimin me energji dhe ujë dhe mbrojtjen e tokës.

Në ditët e sotme më shumë se kurrë, sektori pyjor Evropian ka potencial për të luajtur një rol të madh në ekonomi në zhvillim të gjelbër, duke promovuar prodhimin e qëndrueshëm dhe modelet e konsumit, ndërtimin e gjelbërt, punë e gjelbërt në sektorin, dhe furnizimin e energjisë së rinovueshme.

Ne të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë. Ne duhet të pranojmë rolin jetik të pyjeve për të ruajtur një mjedis të shëndetshëm, për të siguruar mirëqenien e qytetarëve tanë si dhe të promovojmë fort zhvillimin e qëndrueshëm trë tyre.

Edhe Shqipëria ndonëse një vend në zhvillim, në vitet e fundit po ndjek një politikë mjedisore në përputhje me standartet evropiane. Qeveria shqiptare ka reaguar në mënyrë proaktive dhe si asnjëherë më parë Mjedisi është kthyer në vëmendje të saj,  për të përmbushur  detyrimet që na vijnë, nga Konventat dhe Marrëveshjet ndërkombëtare, në të cilat vendi ynë është palë, duke përputhur qëndrimet dhe veprimet tona  me politikat e BE-së. Njëherazi kemi ndërmarrë vendime qoftë edhe drastike për të frenuar shkatërrimin e mjedisit nga lakmia e njeriut, zhvillimi kaotik në fushën e ndërtimit dhe akvititetet e paligjshme të cilat pas viteve 90 çuan në një degradim të ndjeshëm të mbulesës pyjore. Nga fillimi i këtij viti, vendi ynë është në efektin e moratoriumit 10 vjecar të shfrytëzimit të pyjeve, një vendim që ne besojmë se do të ndikojë në shëndoshjen e  ekonomisë pyjore dhe për ta pasur si kontribues kyç në GDP e vendit.

Objektivi ynë parësor për ekonominë pyjore në Shqipëri sot është shtimi e zgjerimi i mbulesës pyjore që do të shkojë paralelisht me strategjjitë afatgjata për ruajtjen, mbrojten dhe  mirëmbatjen e atyre ekzistuese.

Sot synojmë të forcojmë jo vetëm kuadrin ligjor dhe mjetet drejt menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve, por edhe të promovojmë më shumë edukimin, kërkimin shkencor si dhe rritjen e ndërgjegjësimit tek qytetarët dhe opinioni publik për rëndësinë e tyre.

Angazhimi ynë për të qenë pjesë proaktive e këtij bashkëpunimi mes Kinës dhe vendeve të evropës qëndrore dhe lindore është maksimal. Do të kemi një impenjim e mobilizim tërësor për të pasur sa më të implementueshme në vendin tonë, qëllimet që Plani veprimit që do adaptojmë sot, duke synuar shmangien e barrierave adminstrative në kuadër të kësaj nisme.

Jam i bindur, se bashkëpunimi dhe ekspertiza që do të ofrojë zyra e koordinimit në Slloveni; do të jetë thelbësore për të garantuar suksesin e këtij bashkëpunimi në të gjitha nivelet, si në afatshkurtër dhe në afatgjatë.

Në fund të fjalës sime dua të siguroj edhe njëherë mbështetjen dhe angazhimin tim dhe të qeverisë shqiptare, për këtë marreveshje mirëkuptimi të arritur disa muaj më parë mes Republikës së Sllovenisë dhe Republikës popullore të Kinës, si dhe cdo angazhim apo detyrim që do të lindë nga ky takim i nivelit të lartë, si një instrument që do të garantojë forcimin e bashkëpunimit për  promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm të pyjeve në vendet tona.

Ju faleminderit