Postuar më: 19 Nëntor 2015

Fjala e plotë e Ministrit të Mjedisit z. Lefter Koka në Prezantimin e “Programi Strategjik i Zonave të Mbrojtura 2016-2020” të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura

Të nderuar Ambasadorë, 
Të  nderuar Deputetë, 
Të nderuar Donatorë,
Të nderuar Pjesëmarrës,

Vetëm shtatë muaj më parë Qeveria Shqiptare vendosi të krijonte Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM). Me ngritjen e saj u konkretizua kështu vizioni, politika dhe vullneti i Ministrisë së Mjedisit, për të  ngritur në një tjetër nivel menaxhimin e këtyre zonave.

Vetëm shtatë muaj më parë Qeveria Shqiptare vendosi të krijonte Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM). Me ngritjen e saj u konkretizua kështu vizioni, politika dhe vullneti i Ministrisë së Mjedisit, për të  ngritur në një tjetër nivel menaxhimin e këtyre zonave.
Sot jam i lumtur që pas një kohe fare të shkurtër, prezantohet Programi i i parë Strategjik katërvjecar i AKZM-së, një hap i rëndësishëm ky, në punën e kësaj Agjencie për administrimin dhe menaxhimin e integruar të tyre.

Kjo konferencë vjen vetëm pak ditë pas publikimit të Progres Raportit  ku u konstatua progres shumë më pozitiv në sektorin e mjedisit dhe mbrotjes së natyrës, krahasuar me një vit më parë. Ndryshe nga Progres Raporti 2014, në të cilin Komisioni shprehej ne nota pesimiste për veprimtaritë e si gjuetia, peshkimi, prerja e drurëve dhe ndërtimet pa leje në zonat e mbrojtura janë të shpeshta, në Progres Raportin 2015 asnjë nga këto çështje nuk është përmendur më.
Por sigurisht, ne kemi rrugë të gjatë për të bërë dhe për këtë jemi të ndërgjegjshëm që në Mjedis ky është vetëm fillimi.
 
Krijimi i Agjencisë Kombëtare të Zonae të Mbrojtura  ka shkuar paralelisht me përmirësimin e vazhdueshëm të legjislacionit mjedisor, përafrimin e kuadrit ligjor me politikat e reja në mbrojtjen e natyrës e të biodiversitetit, monitorimin e mjedisit, shtimin e sipërfaqes së zonave të mbrojtura e pajisjen në vazhdimësi të këtyre zonave me plane menaxhimi, forcimin e kapaciteteve të strukturave që veprojnë në këto zona dhe tendencën për t’ju përafruar treguesve të Bashkimit Evropian. Ndaj me ju këtu sot progresin tonë të dukshëm  në legjislacionin kombëtar. Aktualisht legjislacioni i fushës së natyrës është përafruar në masën 90 % me atë të Bashkimit Evropian. 

Ne po përgatisim Ligjin e RI të Zonave të Mbrotjura i cili do të udhëhiqet nga parimi Përdoruesi Paguan. Përgatija e ligjit fokusohet në 2 aspekte kryesore:  
1-    Të sanksionojë me ligj, autonominë financiare të menazhimit të këtyre zonave
2-    Të ardhurat e gjeneruara shkojnë në masën 100% në zhvillimin e këtyre zonave 

Ministria e Mjedisit në dy vitet e fundit ka treguar vullnet dhe përpjekje të qëndrueshme për rritjen e investimeve në zonat e mbrojtura. Kështu gjatë këtyre dy viteve jane zbatuar projekte për përmirësimin e infrastrukturës, rehabilitime dhe pyllëzime në 7 zona të mbrojtura dhe i njëjti trend do të vazhdojë dhe për vitin 2016.
Gjatë këtyre dy viteve kemi përparuar në zgjerimin e rrjetit te zonave te mbrojtura, nëpërmjet shpalljes së zonave të reja të mbrojtura dhe zgjerimit të atyre ekzistuese. Progres është shënuar edhe në përgatitjen e Planeve të menaxhimit të Zonave të Mbrojtura. Aktualisht kemi 12 Zona të Mbrojtura (kryesisht parqe kombëtare), të cilat kanë plane menaxhimi të hartuara, ndërkohë që janë në proçes përfundimi në stade të ndryshme dhe 8 plane te tjera menaxhimi për zonat e mbrojtura. 
Reforma në fushën e mbrojtjes së natyrës dhe biodiversitetit vijoi me krijimin e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura në Shkurt 2015, si një hap i rëndësishëm në fushën e menaxhimit të këtyre zonave, duke i bërë ato të pavarura nga Shërbimi Pyjor. 
Zonat e Mbrojtura në vend, përveçse mbrojtëse dhe garantuese të larmisë së botës së gjallë, shërbejnë edhe si burim ekzistence, të mirash materiale dhe të ardhurash për komunitetin.  

Qëllimi kryesor i AKZM-së është jo vetëm aksesi më i lehtë dhe vizibiliteti i administratave të zonave të mbrojtura, por edhe mundësimia e aplikimit të drejtpërdrejtë dhe me menaxhim direkt të fondeve nga ky institucion.
 
Zonat e mbrojtura nuk duhen parë si tabu, por si një mundësi zhvillimi. Turizëm 360 ditë të vitit është synimi ynë madhor.
Jemi duke kërkuar e konsideruar rrugë dhe mundësi të reja zhvillimi, që lidhen me edukimin dhe informimin e popullatës.    
Unë besoj se fokusi duhet të jetë në zhvillimin e aktiviteteve te qëndrueshme në zonat e mbrojtura,  të çojë qytetarët drejt turizmit dhe të kontribuojmë në rritjen e mireqenies se komuniteteve lokale dhe zhvillimin e zonave rurale. Lehtësia për akses dhe ngritja e nivelit dhe shërbimit cilësor jam i bindur që do t’i bëjë qytetarët tanë të zgjedhin vendin tonë për turizëm. 

Ne kemi sot të miratuar një sistem të zonave të mbrojtura (ZM), që shtrihet në 16.61% të territorit të vendit, e barabartë me rreth 460.000 ha.  Kemi 15 parqe kombëtare, 22 rezervate natyrore të menaxhuara, 5 peizazhe të mbrojtura, ku përmblidhen dhe strehohen vlerat më të mëdha natyrore dhe të biodiversitetit në vend. Ndërkaq kemi edhe 4 zona, që konsiderohen si Parqe Natyrale Rajonale, por ende nuk bëjnë pjesë në Rrjetin e Zonave të Mbrojtura.

Më duhet të pranoj, që kemi shumë për të bërë që krahas rritjes së konsiderueshme të sipërfaqes së zonave të mbrojtura, duhet të bëjmë shumë që këto zona të konceptohen si të tilla. 
E vërtetë, ato janë të mbrojtura e të formalizuara në letër, por menaxhimi në mënyrë të qëndrueshme dhe me standarde evropiane do të jetë sfida jonë në këtë strategji që AKZM do të prezantojë sot

Megjithë punën dhe progresin e shënuar në këtë drejtim falë vullnetit dhe këmbënguljes së Ministrisë së Mjedisit duhet të pranojmë se zonat e mbrojtura, nuk arritën në 20 vitet e ekonomisë së tregut të integrohen si duhet në politikat kombëtare dhe lokale, për t’u bërë pjesë e zhvillimit ekonomik të rajoneve dhe të vendit. Ky ka qenë objektivi ynë kryesor në këto dy vite, dhe do të jetë sfida jonë në vijim.

Kontributi ynë kur flasim për gati 1/5 të sipërfaqes së vendit me vlera natyrore duhet të shkojë në rrugën e duhur. Zonat e mbrojtura do të jenë aset për natyrën e vendit dhe vlerë e shtuar në politikat e Qeverisë Shqiptare.
Mirëmenaxhimi i Zonave të Mbrojtura është kryefjala e këtij Programi  Strategjik.
Kjo kryefjalë është e mbështetur nga  masat që ne morëm si moratoriumi i gjuetisë, ndalimi i ndërtimeve pa leje, shtimi i kontrollove dhe forcimi i ISHMP-së, kërkesa jonë për moratorium 10- vjecar të pyjeve,  do të çojnë në zgjimin e interesit të qytetarëve  në nivel kombetar, por edhe turizmit ndërkombëtar të vizitojë dhe vlerësojë këto zona. 
Sot jemi dëshmitarë, të rritjes me 80 për qind të numrit të turistëve në zonën e Alpeve, falë edhe turizmit vendas, por nga ana tjetër kemi një prezencë në rritje të turistëve në zonat ligatinore ku po rritet numri i shpendëve dimërues dhe shtegtarë, me më shumë se 40 për qind.    

Gjej rastin të kërkoj nga ju si aktorë aktivë në mbrojtjen e mjedisit mbështetjen ndaj Ministrisë së Mjedisit, në nismën tonë për vendosjen e moratoriumit 10- vjeçar të pyjeve. Të mos harrojmë që kemi një situatë të trashëguar, që nga 1974 ku kontributi në pyje është gati inekzistent. Çdo reformë legjislative dhe administrative që ne ndërmorëm dha rezultate, por abuzuesit ende veprojnë. Nëse ne nuk ndërhyjmë sot menjëherë, pas disa vitesh mund të shohim efektet e erozionit dhe përmbytje në masa më të mëdha se këto që jemi përballur sot. Jam koshient që moratoriumet janë masa ekstreme në politikëbërjen mjedisore.  Kemi konsideruar dhe të gjitha rekomandimet e grupeve të interesit, por nuk duhet të pranojmë se kemi histori suksesi moratoriumin e gjuetisë, ndaj unë besoj se mund t’i shpëtojmë pyjet, të ardhmen e qytetarëve dhe fëmijëve tanë. Vendosja e këtij moratoriumi do të sjellë një mbrojtje të dyfishtë për zonat e mbrojtura. 

Në planin afatgjatë synojmë  të luhet  një rol më i rëndësishëm në hartimin e politikave dhe strategjive për ruajtjen e natyrës. Fillimi i proçesit për rrjetin Natura 2000 kërkon një tjetër përqasje për mbrojtjen e habitateve dhe llojeve, si një parakusht që Shqipëria ka për integrimin në BE.

Në përfundim, gjej rastin të falenderoj gjithë donatorët dhe aktorët e tjerë për kontributin e vyer që na kanë dhënë në këto dy vite në këtë sektor. Një falenderim shkon  për të gjithë ata që do të na mbështesin e do të na bashkohen edhe në të ardhmen.

Ju faleminderit!