Postuar më: 19 Shkurt 2016

Fjala e Plotë e Ministrit të Mjedisit, Z. Lefter Koka në Sesionin e 10- të Plenar të Asamblesë Parlamentare për Rajonin e Mesdheut

Fjala e Plotë e Ministrit të Mjedisit, Z. Lefter Koka

I nderuar z. Roque, Kryetari i Komisionit II të Përhershëm të PAM-it

I nderuar z. Amara, Ministër i Energjisë, Minierave, Ujrave dhe Mjedisit të Mbretërisë së Marokut

I nderuar z.  Hongbo, Nën Sekretar i Përgjithshëm i Kombeve Bashkuara për Çështjet Ekonomike dhe Sociale

Të nderuar pjesëmarrës të këtij paneli,

Të nderuar Parlamentarë,

Të nderuar  Zonja dhe Zotërinj pjesëmarrës,

 

Më lejoni së pari, të shpreh konsideratën time më të lartë për organizimin e sesionit të 10- të Plenar të Asamblesë Parlamentare për Rajonin e Mesdheut.

Më lejoni gjithashtu, të shpreh kënaqësinë time të veçantë, që në këtë sesion i është dhënë hapësirë MJEDISIT, si një komponent i rëndësishëm i zhvillimit në këtë rajon.  Akoma më i rëndësishëm bëhet ky komponent përballë sfidës globale me ndryshimet klimate. Cdo ditë e më shumë  Mjedisi po vihet në qendër të politikëbërjes, në një mision aspak të lehtë me dimensione botërore. 

Duke u fokusuar në rajonin e Mesdheut, dëshiroj të sjell në vëmendje, se sot Mesdheu  konsiderohet një “hotspot” ndaj ndryshimeve klimatike dhe katastrofave natyrore. Përmbytjet, thatësirat apo mungesa e ujit, kërcënimet mjedisore mbi biodiversitetin, burimet natyrore, zonat e banueshme dhe shëndeti janë një sfidë reale, për rajonin ku ne jetojmë.

Në këtë kontekst Shqipëria, si pjesë e këtij rajoni është një nga vendet më të ndikuara nga ndryshimet klimatike. Nga viti  2010 e deri më sot Shqiperia u godit disa herë nga përmbytjet si në zonën veriore ashtu dhe në atë jugore. Në terma ekonomikë, humbjet nga përmbtyjet e shkaktuara në vend, vetëm në këto 6 vitet e fundit janë vlerësuar me një dëm prej dhjetra milionë euro, një kosto shumë e lartë për buxhetin e vendit tonë.

Impakti i ndryshimeve klimatike do të variojë, nga ndikimi në ujëra, energji dhe bujqësi;  duke rrezikuar sigurinë e ushqimit, degradimin e tokave në përgjithësi dhe përshpejtimin e erozionit në veçanti - deri në afektimin e shëndetit të njerëzve nëpërmjet përhapjes së sëmundjeve, në kërcënimin e diversitetit biologjik dhe zhdukjen e llojeve të florës e faunës.

Në këtë realitet qeveria shqiptare ka reaguar në mënyrë proaktive  për të përmbushur disa nga detyrimet që na vijnë, nga Konventat dhe Marrëveshjet ndërkombëtare, në të cilat vendi ynë është palë, duke përputhur qëndrimet dhe veprimet tona  me politikat e BE-së.

 

 

Shqipëria edhe pse sot , një vend me ekonomi të dekarbonizuar, në takimin  e Palëve në Paris,  dorezoi Kontributin Kombëtar të Synuar (INDC-në), duke kontribuar në arritjen e Marrëveshjes Globale të Klimë. Ne u angazhuam  për reduktimin në nivel kombëtar të gazeve me efekt serrë (GES) në nivelin 11.5 %, të krahasuar me skenarin bazë gjatë viteve 2016 dhe 2030.

Për Shqipërinë, shumica e masave të identifikuara në INDC janë masa të lidhura  direkt me përdorimin me efiçiencë të energjisë në sektorin e ndërtimeve dhe  proçeseve industriale, aplikimin e energjive të rinovueshme nepërmjet futjes në masën 10% të biokarburanteve në sektorin e transportit, si dhe zëvendësimin e lëndëve djegëse /naftës me gazin natyror në sektoret e industrisë dhe të transportit.

 

Të nderuar pjesëmarrës,  

Kam kënaqësinë të ndaj sot me ju, disa nga nismat e marra nga Ministria e Mjedisit, për të arritur rezultate konkrete në angazhimet dhe veprimet tona në kontesktin kombëtar dhe rajonal.

Si një vend kandidat i BE-së, në kuadër të angazhimeve që vendi ynë ka marrë ndaj Traktatit të Komunitetit të Energjisë dhe Reduktimit të gazeve me efekt serrë, ne  po punojmë me përkushtim maksimal dhe ritme të shpejta, që të transpozojmë "acqui communautaire", si dhe për të sjellë legjislacionin tonë kombëtar në fushën  e mjedisit, ndryshimeve klimatike dhe energjisë, më afër me legjislacionin e BE-së.

Arritjet tona më të fundit në sektorin e energjisë lidhen me miratimin e të ligjeve

  • “Mbi eficiencën  e energjisë”;  
  • “Mbi energjitë e rinovueshme”

 

Si dhe në proçes miratimi kemi

  •  Ligjin për biokarburantet
  • Ligjin e eficiencës së energjisë në banesa. 

 

Ndërkaq Ministria e Mjedisit me mbeshtetjen e donatorëve ka ndërrmarrë hapa të konkretë dhe kemi në proçes hartimin e disa dokumentave të rëndësishëm strategjike dhe kuadrit ligjor për ndryshimet klimatike dhe cilësinë e ajrit të mjedisit, ku po veçoj vetëm disa prej tyre:

  1. Strategjia për Ndryshimet Klimatike dhe Plani i veprimit për reduktim të gazeve me efekt serrë;
  2. Plani Kombëtar për Adaptim ndaj Ndryshimeve Klimatike;
  3. Plani Kombëtar i Veprimit të Cilësisë së ajrit;
  4. ProjektLigjin  për ndryshimet klimatike, më duhet të theksoj se kjo hyn për herë të parë në kuadrin ligjor të vendit tonë;

 

Më lejoni të ndaj me ju edhe faktin, se për herë të parë në Shqipëri, ne po flasim tashmë për Plan Kombëtar të Përshtatjes; risi kjo edhe për vetë vendet anëtare të BE-së.

 

Në këtë kuadër është përfunduar nga ne, me sukses të plotë hartimi i 10 planeve te menaxhimit të përmbytjeve .

Në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë të rëndësishëm si Bashkimi Evropian, Banka Botërore,  PNUD, GIZ dhee institucione e donatorë të tjerë ndërkombetarë, qeveria shqiptare ka iniciuar projekte me fokus përshtatjeje ndaj ndryshimeve klimatike në

  • Delta  lumenjsh ;
  • vlerësime të  risqeve natyrore dhe masave adaptuese, me fokus te bujqësia, energjia dhe shëndetësa
  • Arritja e përshtatjeve të ligatinave përmes përqasjes së adaptimit të bazuar në ekosistem

 

Politikat e reja për mbrojtjen e natyrës, pyjeve, parandalimin e ndotjes, ndryshimet klimatike dhe të energjisë, planifikimin urban, monitorimin dhe forcimin e zbatimit të legjislacionit kombëtar jane arritjet tona kryesore në këto vitet e fundit.

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Të gjithë ne jemi të ndërgjegjshëm për rëndësinë e jashtëzakonshme të zhvillimit të qëndrueshëm të pyjeve, si dhe shërbimeve sociale, ekonomike dhe mjedisore që pyjet sigurojnë.

Gjithashtu jemi të ndërgjegjshëm për rolin e pyjeve në reduktimin e ndryshimeve klimatike, rëndësinë në mbrojtjen e baseneve, sigurinë ushqimore, minimizimin e erozionit të tokës dhe mbushjen e digave, duke zgjatur jetën sistemeve të hidrocentraleve, elementë këta nga të cilat varet zhvillimi i mëtejshëm i ekonomisë sonë.

Nisur nga rëndësia e këtij sektori në Shqipëri dhe nga një trashëgimi degraduese prej 5 dekadash,  Parlamenti Shqiptar miratoi vetëm 2 javë më parë, nisëmën e Ministrisë së Mjedisit për vendosjen  e moratoriumit 10 vjeçar të shfrytëzimit të pyjeve.  Njëherazi me këtë masë drastike nga ana jonë janë kryer dhe do të kryhen  investime në rehabilitime dhe pyllëzime në zonat e degraduara, për të rekuperuar dëmet e së shkuarës dhe lëngatën e gjatë në mjedisin shqiptar.

E ndërsa vijojmë sfidën tonë me kohën, ndajmë këtu edhe arritjet në një sektor tjetër mjaft të rëndisishëm siç janë zonat e mbrojtura.  Unë shpreh kënaqësinë time që Shqipëria në këtë drejtim po arrin në nivele Europiane, ku kërkohet po ashtu trajtim dhe administrim Europian i këtyre territoreve me rëndësi kaq të veçantë.

Dokumenti i Politikave Strategjike për Mbrojtjen e Biodiversitetit i miratuar nga ne, për periudhën 2016-2020 përcakton qartaz, listën e zonave të mbrojtura detare dhe bregdetare në Shqipëri  si dhe zgjerimin e Rezervave Natyrore të menaxhuara. Rruga që kemi nisur në këtë drejtim, do të kontriboje në shtimin  e sipërfaqes së Zonave të Mbrojtura detare e bregdetare në masën 6 % në linjë me objektivat e  Konventës së Biodiversitetit, si dhe do të cojë këto zona në masën 17 % të sipërfaqes së territorit të Shqipërisë.

Shqipëria aderon në Konventën e Barcelonës prej vitit 2000. Konventa e Barcelonës dhe Protokollet e saj, sëbashku me Planin e Veprimit për Mesdheun, janë pjesë e Programit të UNEP për Detet Rajonale. Objektivat e Konventës së Barcelonës lidhur me vlerësimin dhe kontrollin e ndotjes detare; mbrojtjen e mjedisit detar dhe zonës bregdetare nëpërmjet parandalimit, reduktimit dhe aq sa është e mundur eleminimin e ndotjes, me qëllim final përmirësimin e cilësisë së jetës, përbëjnë  objektiva të qarta edhe për vendin tonë si palë në këtë Konventë.

Shqipëria, në kontekstin e këtij sesioni 2 ditor që po mbahet në Tiranë, është aktualisht në fazën e rishikimit të Planit Kombëtar të Veprimit për Minimizimin e Ndotjes në Zonat Bregdetare të Detit Mesdhe nga Burimet me Origjinë ne Tokë, i cili do të jetë i vlefshëm për  periudhën 2016-2025.

Krahas kësaj, Qeveria Shqiptare është në proçes hartimi të Planit të Integruar Ndërsektorial për Bregdetin (PINS B). Ky plan kombëtar sektorial ka për qëllim zhvillimin strategjik të sektorëve të ndryshëm, për planifikimin dhe zhvillimin e territorit.

Më duhet të them se në këtë kontekst, investimet e qeverisë shqiptare janë fokusuar  në dy drejtime me impakt të drejtëpërdrejtë në mjedisin e rajonit dhe veçanërisht Mesdheut, siç janë fusha e ujërave të zeza dhe ajo mbetjeve të ngurta, kryesisht në zonën bregdetare.

Gjithashtu, investimet në projekte të lidhura me shkarkimet industriale, të vendosura në bregdet, do të kontribuojë në mbrojtjen e detit Adriatik dhe Jon që lagin brigjet tona.

Menaxhimi i mbetjeve  një tjetër objektiv i rëndësishëm për qeverinë Shqiptare në promovimin dhe mbrojtjen e mjedisit të qëndrueshëm. Duke e konsideruar si të tillë , Ministria e Mjedisit, jo vetëm ka përarfruar bazën ligjore me atë të BE-së,  me synimin e qartë  ngritjen në një nivel më të lartë për mbrojtjen e natyrës  dhe  të shëndetit të njeriut. Sot ne kemi një strategji kombëtare dhe një plan veprimi kombëtar, ku  një ndër prioritetët më të rëndësishëm për Ministrinë tonë është dhe implementimi i teknologjive të reja në  menaxhimin mbetjev,  të gjithë në zona me kontakte në  lumenj apo dete dhe impakti për minimizimin e ndotjes së Mesdheut është i drejtëprejtë

Në këtë kuadër , së fundmi, transpozimi i Direktivave të BE-së në legjislacionin kombëtar, zbatimi, përforcimi i ligjit dhe zbatimin e projekteve, vendosja e një bashkëpunimi të mirë dhe koordinimi institucional jam i bindur se do të bëjë të arritshme dhe të mundur, përmbushjen e ovjektivave tona deri në vitin 2025.

 

Të nderuar Pjesëmarrës,

Jam i lumtur të ndaj me ju, lajmin se Konferenca e 19-të e Palëve Kontraktuese të Konventës së Barcelonës për “Mbrojtjen e Mjedisit Detar dhe të Rajonit Bregdetar të Mesdheut” ka miratuar propozimin e Ministrisë shqiptare të Mjedisit për të organizuar në vitin 2017  në Tiranë, takimin e Konferencës së Palëve  COP20.

Duke qenë i bindur,  se deri vitin e ardhshëm politika rajonale do të shënojë progres, sa i përket Mjedisit në rajonin e Mesdheut,  gjej rastin t’ju siguroj edhe njëherë  se Qeveria Shqiptare është angazhuar maksimalisht në punën e saj në përmbushjen e objektivave të saj politike për mbrojtjen  dhe zhvillimin e menaxhimin e qëndrueshëm të mjedisit, si në planin kombëtar ashtu edhe në atë rajonal.

Së fundi, i uroj një mbarëvajtje të suksesshme sesionit të 10-të Plenar të Asamblesë Parlamentare të Mesdheut.

Ju faleminderit!

Lefter KOKA, Ministër i Mjedisit