Postuar më: 26 Maj 2017

10 Maji, Dita e Pelikanit Kaçurrel

Ministria e Mjedisit shpall Ditën e Pelikanit Kaçurrel, Ditë Kombëtare Mjedisore. Me një urdhër të firmosur nga Ministri i Mjedisit, z. Lefter Koka, data 10 Maj e çdo viti në Shqipëri shënohet në Kalendarin Kombëtar Mjedisor si “Dita e Pelikanit”.

“Në mbështetje të pikës 4 të Nenit 102 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të nenit 47 të Ligjit, nr.9587, datë 20.07.2006 “Për mbrojtjen e Biodiversitetit” të ndryshuar, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për ruajtjen e Pelikanit Kaçurrel (Pelecanus crispus) në Shqipëri, urdhëroj caktimin e datës 10 maj të çdo viti  si “Dita e Pelikanit” dhe përfshirjen e kësaj dite në kalendarin kombëtar mjedisor” – shkruhet në Urdhërin e Ministrit Koka.

Në urdhër caktohet që në kuadër të kësaj dite e cila përputhet me Ditën Ndërkombëtare të Shpendëve Migratorë, duhet të organizohen aktivitete të ndryshme ndërgjegjësuese, edukuese dhe promovuese të vlerave natyrore dhe ekoturistike të këtij lloji në zonën e Parkut Kombëtar Divjakë- Karavasta si dhe në zona të tjera ligatinore të Shqipërisë, në bashkëpunim me organizatat mjedisore, njësitë e qeverisjes vendore, strukturat arsimore etj. Bashkë me shpalljen e kësaj dite mjedisore, Ministri Koka ka miratuar edhe Planin Kombëtar të Veprimit për ruajtjen e Pelikanit Kaçurrel, një specie e rrezikuar, në nivel global dhe kombëtar si dhe një lloj simbol i shpendëve në Shqipëri dhe më gjerë.

Objektivat kryesore të Planit Kombëtar të Veprimit për ruajtjen e Pelikanit Kaçurrel në Shqipëri konsistojnë në rritjen e popullatës folenizuese të Pelikanit Kaçurrel, mbrojtjen dhe ruajtjen e habitateve kritike të tij në vendin tonë si edhe sigurimin e një shtese të vendeve të folenizimit aty ku kjo është e mundur. Ndërsa veprimet konservuese të parashikuara në plan janë: përmirësimi i politikave dhe të legjislacionit, Menaxhimi i llojit dhe ruajtjen e habitateve, monitorimi i efektivave të Pelikanit Kaçurrel, nxitja e edukimit dhe trajnimit për ruajtjen e mëtejshme të Pelikanit Kaçurrel, nxitja e aktiviteteve ndihmuese e të qëndrueshme etj.

Me këtë ditë të re mjedisore shënohet suksesi i arritur në 3 vite në kujdesin ndaj faunës në përgjithësi dhe në veçanti ndaj shpendëve migratorë të ujit, sukses që është diktuar tërësisht nga vendosja e dy moratoriumeve të gjuetisë.

Pelikani Kaçurrel ka pasur një shpërndarje të reduktuar ndër vite deri në minimum, si pasojë e humbjes së habitateve jetike. Por, politika e ndjekur vitet e fundit nga Ministria e Mjedisit ka sjellë qetësinë në laguna dhe rezultate të dukshme pranisë së Pelikanit Kaçurrel. Prani e vërtetuar edhe nga rezultatet pozitive të Censusit të dytë Kombëtar për Pelikanin Kaçurrel që u mbajt në kuadër të Censusit Rajonal të Europës Juglindore në Shqipëri, Mali i Zi, Greqi, Rumani, Bullgari, Turqi dhe Ukrainë në datën 6 maj 2017.