Postuar më: 24 Janar 2017

AKM forcon kontrollin e ndotjes në territorin e Shqipërisë. 250 kompanitë më të mëdha në vend detyrim, deklarimin e shkarkimeve në regjistrin online

Agjencia  Kombëtare e Mjedisit (AKM) lançoi ditën e sotme “Regjistrin Online të Shkarkimeve dhe të Transferimit të Ndotësve – PRTR” në të gjithë territorin e Shqipërisë. Ky regjistër është tashmë funksional prej Janar 2017.

250 Kompanitë më të mëdha në vend, do të deklarojnë shkarkimet e tyre direkt në këtë sistem për 91 lloje ndotësish, në ajër toke dhe ujë, bazuar në detyrimin ligjor që ato kanë për deklarimin e shkarkimeve nga 1 deri në 2 herë /vit.

Ministri i Mjedisit z. Lefter Koka në fjalën e tij theksoi se bashkëpunimi dhe transparenca me publikun, aktorët vendimarrës dhe shoqërinë civile ka qenë prioriteti i tij, në këto 3 vite e gjysmë drejtim të Ministrisë së Mjedisit, me misionin kryesor mbrotjen e mjedisit për shëndetin e qytetarëve shqiptarë. Më tej ai nënvizoi: - “Transparenca për publikun do të jetë prioriteti ynë, dhe ky regjistër me akses të lirë nga cdokush e ofron këtë. AKM ka treguar në këto 3 vite, bazuar edhe në 3 progres raportet që kemi marrë një punë cilësore në mbrotje të mjedisit. Vazhdoj të theksoj idenë, se qytetari është për ne partneri ynë më i ngushtë, në misionin tonë për mbrojtjen e mjedisit”

z. Julian Beqiri, Drejtor i Përgjithshëm i  AKM, gjatë prezantimit të tij u ndal në rëndësinë që ky proçes merr me funksionimin e këtij regjistri tashmë online, në informimin e publikut. Ai theksoi se gjatë muajve të fundit është trajnuar stafi i operatorëve privat , për mënyrën e hedhjes në sistem të të dhënave.

“Në 2013, ne gjetëm vetëm 13 subjekte që bënin vetë-deklarim të shkarkimit të ndotësve, sot pranë AKM janë mbi 1000 subjekte që e bëjnë këtë vetëdeklarim , nga të cilat 250 kompanitë më të mëdha industriale e bujqësore duke filluar nga 2017, do ta bëjnë në këtë regjistër online. Është e rëndësishme të kuptohet se AKM dhe ISHMP me kapacitetet e tyre monitoruese dhe kontrolluese do të kontrollojnë subjektet në mënyrë përiodike, për vetëdeklarimet që ato do të bëjnë” – nënvizoi Beqiri.

Ky regjistër mundëson për publikun, qasjen online në informacionin mjedisor për 250 kompanitë më të mëdha, në lidhje me sasinë vjetore të shkarkimeve (emetimeve) të ndotësve në:

 

  • Ajër, Ujë, Tokë (kg/vit)  (duke përfshirë të gjitha shkarkimet: e qëllimshme, aksidentale, rutinë dhe jo rutinë, ku shkarkimet aksidentale raportohen veçmas).

•       Transferimin e mbetjeve dhe ndotësve në ujërat e ndotura (ton/vit) (lëvizja e mbetjeve të destinuara për te impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura urbane përtej kufijve të një aktiviteti ndotës, që mund të kryhet nëpërmjet një kanali ose ndonjë mjeti tjetër si psh konteniere apo tankerë)

•       Për 91 ndotës kryesor duke përfshirë metalet e rënda, pesticidet, gazet me efekt serë (GHG-të)  dhe dioksinat.

  • Shkarkimet nga burimet difuze kur kemi disponueshmëri të dhënash në ajër, ujë dhe tokë, të transferimeve të mbetjeve dhe të ndotësve jashtë objektit (off-site), si dhe në Ujërat e Ndotura Urbane.

Me ngritjen dhe funksionimin e këtij sistemi, Shqipëria bëhet pjesë  e Rrjetit Europian të raportimit për ndotësit e mëdhenj që janë subjekt i këtij raportimi, ku Agjencia Kombëtare e Mjedisit është përgjegjëse për zbatimin e saj.

Vënia në punë e këtij regjistri dhe grumbullimi i të dhënave mbi komponentët ndotës në territorin e Shqipërisë, do të rrisë mundësinë e AKM-së për një vlerësim sa më efikas të zonës, ku do të jepet një leje mjedisore duke mundësuar  shmangiet e konflikteve të mundshme me banorët, dhe shtuar kërkesat  për subjektet private mbi  zgjerimin  e  vëndeve të  punës (specialistët teknikë) si dhe do të rritet përgjegjshmëria e laboratorëve mjedisorë monitorues, sa i përket saktësisë dhe besueshmërisë  të dhënave që ata gjenerojnë.

Ky projekt u realizua falë bashkëpunimit dhe mbështetjes së Qendrës Rajonale të Mjedisit (REC), me fonde të Agjensisë Federale Gjermane të Mjedisit .