Postuar më: 21 Korrik 2017

AKM prezanton Raportin e Gjendjes së Mjedisit për vitin 2016

Agjencia Kombëtare e Mjedisit prezantoi sot “Raportin e Gjendjes së Mjedisit në Shqipëri 2016”. Nëpërmjet këtij raporti Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM) sjell informacionin dhe vlerësimin mjedisor mbi gjendjen e mjedisit si dhe vlerësimin e shkallës së zbatueshmërisë dhe efektivitetit të politikave mjedisore kombëtare dhe përafrimit të tyre me ato europiane.

Në fjalën e tij, kreu i AKM-së. z. Julian Beqiri theksoi se raporti vjen me një monitorim më të plotë se në vitet e kaluara ndonëse buxheti për përgatitjen e këtij raporti ka shënuar rënie. “Buxheti i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit nga viti 2014 në vitin 2017 ka ardhur në rënie të ndjeshme me gati përgjysmimin e tij. Pavarësisht buxhetit, monitorimi nga 2014 në 2017 sipas treguesve është një performancë në rritje të ndjeshme në çdo komponent.”- deklaroi ai.

Duke u ndalur në monitorimin e cilësisë së ajrit urban, kreu i AKM-së nënvizoi se Fieri, Lushnja dhe Lezha janë 3 qytete në rang vendi potencialisht të ndotura, ndërsa problematike është prania e grimcave të pluhurit. “Tirana vazhdon të jetë qyteti më i ndotur në rang vendi. Shfaqet problematike edhe Korça, vetëm në periudhën e dimrit për shkak të ngrohjes me dru zjarri” – tha Beqiri.

Pas cilësisë së ajrit, zhurmat  janë niveli i dytë i riskut për shëndetin publik. Edhe këtu Tirana  është ndër qytetet më problematike kur gjatë ditës është 17.23% më lart se norma e lejuar dhe gjatë natës 24.91% më lart se norma e lejuar nga OBSH.

Në monitorimin e ujërave sipërfaqësorë për vitin 2016 ka një përmirësim të ndjeshëm të ujërave larës bregdetarë edhe pse 5 pika ende mbeten problematike. Në analizimin e kësaj situate Z. Beqiri shtoi se: “vazhdon mungesa e informimit dhe  e infrastrukturës nga pushteti vendor në këtë pikë”.  Në Raport nuk kanë ndryshim në krahasim me vitin 2016 cilësia e ujërave sipërfaqësorë në lumenj dhe liqene si edhe cilësia e ujërave nëntokësorë.

“Pavarësisht ndarjes së re territoriale,bashkitë po bëjnë ende një punë të dobët, në drejtim të ndotjes e menaxhimit të mbetjeve”- u shpreh kreu i AKM-së duke iu referuar rezultateve të monitorimit të menaxhimit të mbetjeve për vitin 2016.

Pasi sjell situatën e trashëguar në monitorimin e mbulesës së tokës, Raporti konstaton rezultate pozitive të vitit të parë të moratoriumit 10-vjeçar të pyjeve. “Moratoriumi do të sjellë padyshim një ripërtëritje të mbulesës së tokës. Ndërkohë që  janë konstatuar 15 specie drunore në rrezik zhdukje.“- tha drejtori i përgjithshëm i AKM-së.

Në fund të prezantimit z. Beqiri theksoi se në Raportin për Gjendjen në Mjedis 2016  Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka dhënë  rekomandime te plota në çdo sektor të monitoruar për përmirësimin e gjendjes në mjedis.

Raporti ofron një bazë të mirë për orientimin e zhvillimeve, planifikimeve dhe investimeve strategjike në sektorët të cilët kanë ndikim në mjedis siç janë: industria, energjetika, transporti, bujqësia etj, por edhe për marrjen e masave të duhura dhe hartimin e projekteve për përmirësimin e gjendjes së mjedisit dhe përbërësve të tij. 

Këtu mund të shikoni raportin