Postuar më: 21 Prill 2017

Inaugurohet Impianti i Përpunimit të Mbetjeve dhe Prodhimit të Energjisë, në Qarkun e Elbasanit

Ka nisur nga puna Impianti i Përpunimit të Mbetjeve dhe Prodhimit të Energjisë, në Qarkun e Elbasanit, vepra më e madhe inxhinierike, unike dhe e para e këtij lloji në vendin tonë.

Në fjalën e tij gjatë ceremonisë inauguruese të impiantit Ministri Koka theksoi se ky ishte një ndër investimet më të mëdha gjatë këtyre 25 viteve në fushën e Mjedisit.

“Sot e gjithë vëmendja, plotësisht e merituar i takon një modeli të vërtetë suksesi. Ky impiant që ne po inaugurojmë sot do të shndërrojë njëherë e përgjithmonë imazhin e Shqipërisë, sa i përket menaxhimit të integruar të mbetjeve. Asnjë bashki, asnjë qytet apo qark, më mirë se Elbasani, nuk mund të shërbente si demonstrim i një transformimi të rrënjësor. Sot Elbasani është shndërruar nga qyteti më i ndotur apo gangrena mjedisore e vendit tonë, si rëndom i janë referuar në 25 vite ekspertët mjedisorë, padiskutim në një model që nuk duhet të jetë një histori e veçuar suksesi, por duhet pasuar dhe nga të tjera projekte si ky. ”- tha Ministri Koka.

Gjatë ceremonisë ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama i cili u shpreh :”Nuk keni parë gjë akoma, ky është vetëm fillimi. Falë këtij shembulli fantastik dhe faktit që kontributor shumë i rëndësishëm është Ministri i Mjedisit”  - tha Kryeministri Rama duke theksuar se ishte mjaft i  surprizuar nga ky investim që kishte tejkaluar parashikimet e tij.

Impianti i realizuar sipas standardeve më të larta europiane do të prodhojë energji elektrike nëpërmjet përdorimit të mbetjeve urbane si lëndë djegëse, duke përzgjedhur teknologjinë  e fjalës së fundit në fushën e ndërtimit të impiantëve të këtij lloji. Në realizimin e tij morën pjesë me pajisjet më të mira të vitit 2016, firmat më prestigjioze si: SIEMENS, PAUL WURTH, TAMA, PENETRON, ONYX, AVE CONSULTING etj.

Metoda e përdorur për trajtimin e mbetjeve ofron qëndrueshmëri dhe kontribut më të lartë për ruajtjen e klimës sesa metodat tradicionale për trajtimin e mbetjeve siç janë landfillet. Shfrytëzimi i impiantit sjell një prodhim me kapacitet rreth 2.85 MË/ njësi ose 17.250 milionë MË/ vit për banorët. Ky projekt vlen edhe për biznesin, pasi avulli që gjenerohet nga procesi i përpunimit mund të përdoret në sektorin bujqësor, veçanërisht të shfrytëzohet nga serrat.

Për të përmirësuar nivelin e mjedisit shoqëria ndërtuese ka bërë një rrethim të zonës së impiantit me kurorë të gjelbër, duke mbjellë me bar një sipërfaqe prej rreth 10.000 m2 përqark impiantit, si dhe rreth 1050 pemë dhe fidanë dekorativë e frutorë.

Ministri Koka theksoi në fjalën e tij se vënia në punë e impiantit të përpunimit të mbetjeve e bëjnë qarkun e Elbasanit një model suksesi për të gjitha qarqet, në drejtim të menaxhimit të integruar të mbetjeve të ngurta urbane.

 “Sot jemi përballë, një kryevepre të teknologjisë që tejkalon çdo standard mjedisor kombëtar dhe ndërkombëtar. Ky impiant, i pari i këtij lloji është investimi më i madh i bërë ndonjëherë në fushën e mjedisit në vendin tonë.

Qytetarët e Qarkut Elbasan, nga sot do të kenë një shans më shumë, ata do të rrisin fëmijët e tyre në një ambient të sigurtë dhe të shëndetshëm.Eshtë detyra jonë e të gjithëve ne, të garantojmë mirëqenien dhe shëndetin e qytetarëve shqiptarë! Eshtë detyra jonë është t’i kthejmë Shqipërisë një faqe tjetër. Ky është shansi ynë, shansi për të gjithë qytetarët shqiptarë! Personalisht ndihem krenar, pasi nga sot hapim një kapitull krejtësisht të ri të menaxhimit të mbetjeve në vend, kapitullin e një Mjedisi Europian.”- mbylli fjalën e tij Ministri Koka.