Postuar më: 16 Maj 2017

Ministri Koka inauguron Impiantin e Pastrimit në Grykëderdhjen e lumit Shkumbinit

Ministri i Mjedisit, Z. Lefter Koka inauguroi ditën e sotme Impiantin e Pastrimit të grykëderdhjes së lumit Shkumbin, të njohur si një nga grykëderdhjet më problematike në vend.

Pasi përfundoi inspektimin e impiantit Ministri Koka e vlerësoi maksimalisht investimin e kryer në një nga lumenjtë që krijon ndotjen më të madhe detare.”Ky është një investim i përkryer që disiplinon qoftë mbetjet e ngurta, ato plastike dhe vajrat. Gjithashtu edhe investimi që ka filluar në grykëdershjen e Ishmit,  do të çojë në dy numrin e grykëderdhjeve të lumenjve që rehabilitojmë”- tha ministri Koka.

Duke iu referuar ndotjes së lumenjve ministri Koka  paralajmëroi edhe një ndërhyrje në lumin e Gjanicës. “Kemi një problematikë shumë të madhe kryesisht me hidrokarburet. Industria e naftës  kryesisht në zonën e Fierit, Ballshit, ka sjellë një ndotje të tejskajshme në lumin  e Gjanicës. Fatkeqësisht nuk kemi mundur deri sot që të zgjidhim këtë problematikë në mënyrë definitive por besoj shumë shpejt një nga aksionet e Ministrisë së Mjedisit para fillimit të sezonit turistik do të jetë edhe ndërhyrja në këto aktivitete për të mundësuar një vijë bregdetare sa më të pastër, të shëndetshme për qytetarët shqiptarë dhe ata të huaj”- u shpreh Ministri i Mjedisit i cili theksoi gjithashtu  se: “Është bërë një punë kolosale në të gjithë Shqipërinë në fushën e menaxhimit të mbetjeve. Pas investimit në qytetin e Elbasanit kanë filluar investimet në Vlorë, Korcë, Sarandë dhe Berat. Kemi bërë shumë në këto katër vite ndoshta edhe më shumë nga sa premtuam në 2013-ën. Menaxhimi i mbetjeve është një problematikë që kërkon një impenjim kombëtar, jo vetëm të qeverisë dhe të Ministrisë së Mjedisit por edhe të gjithë qytetarëve shqiptarë duke sensibilizuar që të mos ndotim më lumenjtë” përfundoi fjalën e tij, Ministri Koka.

Impianti i Pastrimit përfshin 3 barriera pritëse me qëllim kapjen e mbetjeve të rënda, pluskuese por dhe të vajrave. Barriera e parë është e përbërë prej kavo çeliku e cila kap mbetjet e rënda kurse barriera e dytë dhe e tretë shërbejnë për kapjen e objekteve pluskuese. Barrierat janë vetëlëvizëse dhe janë vendosur në një kënd të caktuar kundrejt rrjedhës së lumit me qëllim që depozitimi i këtyre mbetjeve të bëhet në vendin ku është vendosur transportieri nëpërmjet të cilit mbetjet kalojnë në koshin e plehrave për t’u transportuar më pas në pikat përkatëse. Qëllimi i vendosjes së 2 barrierave pluskuese është që në raste remonti apo avarie të jetë gjtihmonë një barrierë e cila qëndron funksionale

Gjithashtu në rastet e mbetjeve hidrokarbure apo lëndëve vajore është një lloj materiali i shpërndarë në të gjithë sipërfaqen e ujit që i thith këto lëndë dhe njësoj si mbetjet edhe ajo depozitohet në vendin e përcaktuar. Përvec impiantit të pastrimit gjatë këtij investimi është realizuar edhe rehabilitimi i vijës bregdetare pranë grykëderdhjes.

Investimi është financuar nga Ministria e Mjedisit me projekt propozimin e Bashkisë Rrogozhinë si pasojë e gjendjes së shkarkimit të mbetjeve në grykëderdhjen e lumit Shkumbin dhe  gjendjes alarmante të ndotjes së plazhit, në territorin e Bashkisë Rrogozhinë.