Postuar më: 20 Mars 2017

Ministri Koka pret Ambasadorin e Polonisë për Shqipërinë z. Karol Bachura

Ministri i Mjedisit Z. Lefter Koka priti sot në një takim kortezie Ambasadorin e Republikës së  Polonisë në Shqipërinë z. Karol Bachura.

Ministri Koka e njohu Ambasadorin Bachura me zhvillimet dhe reformat më të fundit në Shqipëri, si dhe me politikën mjedisore që qeveria shqiptare ka ndjekur duke e sjellë për herë të parë mjedisin  në qendër të vëmendjes së shoqërisë shqiptare,

Më tej Ministri Koka bëri një pasqyrë e të arritjeve kryesore në fushën e Mjedisit duke vënë theksin në përafrimin me sukses të  legjislacionit shqiptar mjedisor me atë të BE-së, suksesin e reformës administrative institucionale  si dhe një sërë masash të ndërmarra gjatë këtyre viteve në vijim të objektivave dhe projekteve konkrete të Ministrisë e Mjedisit, si dhe angazhimeve të kësaj ministrie në celjen e negociatave për antarësimin e vendit në BE.

Ambasadori Bachura përgëzoi Ministrin Koka për punën e deritanishme në fushën e Mjedisit dhe më pas palët diskutuan mbi pjesmarrjen e Shqipërisë në takimin e Ministrave të Mjedisit të Europës Juglindore që do të mbahet së shpejti në Poloni, në kuadër të  COP24.  

Ministri Koka shprehu interesin për të vijuar kontributin e mëtejshëm të vendit tonë në në adresimin e çështjeve klimatike, ku vecoi firmosjen e  Marrëveshjes e Parisit, nëpërmjet dorëzimit brenda afateve të Kontributit Kombëtar të Synuar nga ana e qeverisë shqiptare.

Gjatë takimit palët diskutuan mbi 80- vjetorin e marrëdhënieve diplomatike Poloni- Shqipëri duke vënë theksin në forcimin e bashkëpunimit specifik në fushën e Mjedisit.  Ministri i Mjedisit u shpreh se të dy vendet mund të bashkëpunojnë për t’u përballur me sfida dhe për të ndërmarrë hapa të mëtejshme për mbrojtjen e Mjedisit.

Ambasadori Bachura vlerësoi marrëdhëniet e deritanishme midis dy vendeve duke theksuar vecanërisht se Shqipëria është një destinacion popullor për turistët polakë të cilët gjatë vitit të kaluar e kanë vendosur vendin tonë në dhjetëshen e vendeve më të kërkuara  për turizëm për vitin 2015-2016, ku ai theksoi se pa një zhvillim të qëndrueshëm në mjedisin shqiptar.

Nga ana e tij, Ministri Koka theksoi se turizmi  është i lidhur pazgjidhshmërisht me mjedisin dhe se kontributi i cdo qytetari është i domosdoshëm dhe jetik po aq sa reformat dhe politika mjedisore e ndjekur deri tani dhe se  për Shqipërinë, turizmi duhet të kthehet në avantazh konkurres krahasuar me vendet e rajonit, duke konsideruar këtu potencialet e mëdha që ofron natyra shqiptare.

Në fund të takimit palët diskutuan për një përforcim të mëtejshëm të marrdhënieve dypalëshe në fushën e Mjedisit, shkëmbimin e eksperiencave midis dy vendeve si dhe ekspertizën e asistencën polake më të përparuar në fushën e Mjedisit.