Postuar më: 16 Dhjetor 2016

Ministri Koka shkresë zyrtare 61 Kryebashkiakëve: Nga 01 Janar 2017, Bashkitë përgjegjëse të vetme për shitjen e lëndës drusore me qëllim ngrohjen e popullatë

I nderuar z. Kryetar i Bashkisë,

 

Parlamenti Shqiptar miratoi në Maj 2016, Ligj nr 48/2016 për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9385 datë 04.05.2005 “Për Pyjet dhe Shërbimin Pyjor”.  

Me këtë vendim historik iu hap rruga njërës prej reformave më jetike  në fushën e pyjeve dhe kullotave për vendin tonë, për të siguruar zhvillimin e qëndrueshëm të pyjeve, krahas miratimit të ligjit “Moratoriumi 10-vjeçar i pyjeve”, hyrë në fuqi në 11 Shkurt 2016.

Ky ligj i amenduar ishte rezultat i  një konsultimi të gjatë me specialistë të fushës, me njësitë e qeverisjes vendore, me përfaqësues të botës akademike, partnerët tanë ndërkombëtarë dhe aktorë të ndryshëm në fushën e mjedisit.

Ky ligj solli riorganizimin e qeverisjes së fondit pyjor dhe kullosor kombëtar, duke ngarkuar Ministrinë me funksion politikbërës duke dhënë një drejtim të ri menaxhimit të  fondit pyjor dhe kullosor publik. Funksionet menaxhuese dhe administrative të fondit pyjor dhe kullosor kombëtar, i janë ngarkuar prej 6 muajve Bashkive, ndërsa  funksionet kontrolluese mbeten atribut i Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve. Ky ishte një progres thelbësor. në kuadër të decentralizimit të kompetencave nga qeveria qëndrore drejt asaj vendore, në përputhje të plotë me strategjinë ndërsektoriale të decentralizimit.

Pushteti vendor është i lidhur në mënyrë të drejtëpërdrejtë me çdo aspekt të jetës së qytetarëve që ju kanë votuar. Pushteti që ju ushtroni, prek më nga afër nevojat jetike të gjithësecilit duke pasur përgjegjësinë që të ofrojë zgjidhje për shqetësimet që ka çdo banor dhe familja e tij, në zonën ku ai banon.

Duke marrë në konsideratë këtë moment tejet të rëndësishëm për mbarë vendin, dëshiroj të sjell në vëmendjen tuaj rëndësinë e ekonomisë pyjore të Bashkisë suaj dhe furnizimit me dru zjarri për ngrohje të popullatës.

Për këtë arsye, ju nxis të shihni si prioritet  Pyjet dhe Kullotat, që ju sot menaxhoni dhe administroni, si një aset të vyer ekonomik, me ndikim të drejtëpërdrejtë në nxitjen e  punësimin, fuqizimin e ekonomisë lokale, zhvillimin e turizimit dhe në zbutjen e efekteve nga ndryshimet klimatike, si parandalimin e erozionit dhe përmbytjeve.

Në këtë kuadër sjell në vëmendjen tuaj, se legjislacioni parashikon një sërë veprimesh që duhet të ndërmerren nga ju, për të siguruar për qytetarët që qeverisni një cilësi jetese më të mirë.

Qeveria Shqiptare për t’ju dhënë kohën e nevojshme për të qenë gati për këtë sezon dimëror, përmes VKM Nr. 438 Datë 08.06.2016 lejoi funksionimin e operatorëve privatë për prodhimin dhe shitjen e lëndës drusore, deri në datë 31 Dhjetor 2016 paralelisht me strukturat e ngritura nga Bashkia.

Është e rëndësisë së veçantë, të kërkoj vëmendjen tuaj se bazuar në dispozitat kalimtare ligjore të parashikuar në këtë VKM, nga data 01 Janar 2017, Bashkia do të jetë i vetmi subjekt përgjegjës për shitjen e lëndës drusore me qëllim furnizimin e popullatës me lëndën drusore për ngrohje.

Sikurse parashikohet në VKM-në e sipërcituar, përgjegjësia për furnizimin e popullatës me dru zjarri për ngrohje është kompetencë e vetme e Bashkisë që ju drejtoni. Bashkia identifikon nevojat, përcakton ngastrat dhe zonat pyjore të prodhimit, kërkon pranë Ministrisë së Mjedisit e tyre dhe realizon shitjen e druve të ngrohjes së popullatës.

Për këtë, kuadri ligjor, siç edhe jeni njohur, ju jep të drejtën të realizoni prodhimin përmes 2 alternativave:

a)    Duke prodhuar drutë e zjarrit përmes proçesit të shfrytëzimit me një operator privat, tenderimin e këtij shërbimi, në pamundësi të ngritjes së ndërrmarrjes publike bashkiake për këtë qëllim. Sipas kësaj alternative Bashkia pasi ka miratuar vendet e caktuara për prodhimin e lëndës drusore, mund të tenderojë shërbimin e prerjes dhe të transportit të afërt të lëndës drusore. Transporti i largët deri në sheshin e paracaktuar për shitje nga Bashkia është përgjegjësi e vetme e juaja; ose,

b)    Ngritja e Ndërmarrjes Publike Bashkiake për prodhimin e druve të zjarrit përmes proçesit të shfrytëzimit. Në këtë alternativë Bashkia është përgjegjësja e vetme për shfrytëzimin, transportin dhe shitjen e sasisë tek popullata

 

Ndërkaq shitja e materialit drusor, me qëllim të vetëm dhe të patjetërsueshëm ngrohjen e popullatës, sipas këtij kuadrit ligjor në të dyja rastet e sipërpërmendura duhet të kryhet vetëm nga Bashkia.

Ligji ju detyron, që çdo e ardhur që realizohet nga ky proçes, të alokohet në masën 100% për shtimin e fondit pyjor dhe zonave të degraduara në këtë fond me qëllim rigjenerimin dhe shëndetësimin e ekonomisë pyjore, për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm të këtij fondi.

Ju sjell në vëmendje gjithashtu, se për vitin 2017 dhe në vijim, mundësia vjetore e shfrytëzimit të pyjeve që kërkohet nga ana juaj për prodhimin e lëndës drusore duhet të jetë e bazuar në objektivat e planit të mbarështimit të ekonomisë pyjore. Në asnjë rast, miratimi nga ana e Ministrisë së Mjedisit, nuk do të jepet nëse nuk do të paraqisni një plan menaxhimi të miratuar.

Ministria e Mjedisit, prej 1 viti tashmë ka qenë në angazhim të drejtëpërdrejtë maksimal dhe serioz me strukturat drejtuese të Bashkisë suaj, për të siguruar transferimin e suksesshëm të fondit pyjor dhe kullosor, nën përgjegjësinë e administrimit nga ana e Bashkisë.

Me gjithë problematikat e vërejtura gjatë kësaj periudhe 12 mujore, Ministria e Mjedisit beson fort, se ky proçes është në dobinë e drejtëpërdrejtë të fuqizimit ekonomik të Bashkisë dhe rritjes së mirëqenies për qytetarët që ju drejtoni.

Ju falenderoj për mirëkuptimin dhe ju siguroj se Ministria e Mjedisit do të vazhdojë të jetë një mbështetës e partner i dedikuar krah jush, për të siguruar një mjedis të shëndoshë për të gjithë qytetarët shqiptarë.

 

Lefter KOKA

MINISTËR