Postuar më: 09 Mars 2017

Ministri Koka: Situatë kritike e mbetjeve në territorin e vendit

Ministri i Mjedisit, Z. Lefter Koka lancoi ditën e sotme Nismën Mbarëkombëtare për Pastrimin nga Mbetjet në kuadër të Ditës së Tokës.  Ministri Koka e prezantoi nismën teksa inspektonte gjendjen e shtratit të lumit të Tiranës  vetëm pak metra larg aeroportit të Rinasit.

“Këto pamje janë shumë të trishtueshme jo vetëm për vizitorët që vijnë nga jashtë Shqipërisë, por edhe për vetë shqiptarët.  Është e patolerueshme që të kemi  këtë situatë në shumë lumenj të Shqipërisë ”– tha Ministri Koka duke treguar zonën përreth të ndotur nga mbetjet e ndryshme, një situatë  thuajse e njëjtë në të gjithë lumenjtë e vendit që nëpërmjet  6 grykëderdhjeve të tyre, cojnë mbetjet e akumuluara në detin Jon dhe Adriatik.

Ministri i Mjedisit ritheksoi se ligji ngarkon Bashkitë me përgjegjësi të drejtpërdrejtë për Menaxhimin e integruar të mbetjeve dhe sanksionon të zgedhurit vendorë për mosmarrjen e masave.  “Kryetarët e bashkive duhet ta kuptojnë se reforma administrative nuk është bërë e atillë që të administrojnë vetëm zonat urbane të asfaltuara. I rëndësishëm është edhe një lumë, i rëndësishëm është edhe një pjesë me kullotë, e rëndësishme është edhe një zonë me pyje apo rurale ku duhet të jetohet më cilësisht. Ndaj  do t’i bëja thirrje pushteti vendor, shumë drejtues të cilëve janë penalizuar tashmë nga Ministria e Mjedisit, që të marrin përgjegjësitë që u takojnë me ligj dhe sidomos tani në prag të sezonit turistik. E kuptoj që kjo nuk është një situatë e krijuar në një apo dy vite, por prej vitesh, por kjo duhet të përfundojë një ditë. Nëse cilido kryetar bashkie do të merrte një iniciativë që të pastrohej nga 10 metra linear në ditë, brenda një viti nuk do të ishte kjo situatë. Janë të rëndësishme zgjedhjet elektorale por  më e rëndësishme që,  toka shqiptare të jetë e pastër dhe jo e ndotur dhe kjo është në fakt detyra funksionale e secilit prej tyre”.

Duke iu referuar punës së bërë në thuajse katër vite në drejtim të menaxhimi të integruar të mbetjeve, Ministri Koka  theksoi se:” Në këto vite është bërë shumë nga qeveria shqiptare. Tashmë kemi përfunduar investimin në qytetin e Elbasanit për të menaxhuar mbetjet ashtu sic menaxhohet në shtetet e tjera të Europës. Ka filluar investimi në Fier, në Vlorë, në Sarandë e shumë shpejt fillon në Tiranë, pra pjesa më e mirë e territorit shqiptar do të ketë një menaxhim të integruar të mbetjeve. Një tjetër investim në këtë drejtim është në grykëderdhjen e lumit Shkumbin, si një nga grykëderdhjet më problematike në vend,  ku realizohet filtrimi i mbetjeve dhe shmangien e derdhjes së tyre në det”.

Në fund të fjalës së tij për mediat, Ministri Koka apeloi: “Mjedisi është një sektor shumë I vështirë  që kërkon vendosmëri dhe këmbëngulje, nga të gjithë aktorët; nga shoqëria shqiptare për të patur një ambient sa më të pastër. Ftojmë sot dhe sensibilizojmë shoqërinë shqiptare, qytetarët, e mbi të gjitha Bashkitë për t’u përfshirë në këtë nismë që do të kulmojë në datën 22 prill”.

Nisma Mbarëkombëtare  për Pastrimin nga Mbetjet do të mbahet nga dt 5 mars deri më 22 prill 2017 kur është edhe Dita Ndërkombëtare e Tokës.