Postuar më: 16 Mars 2017

Prezantohen rezultatet e Censusit Kombëtar të Shpendëve Dimërues

Në Rezervatin e Menaxhuar Kune-Vain në Lezhë u prezantuan sot rezultatet e Censusit Kombëtar për Shpendët Dimërues të Ujit në Shqipëri. I pranishëm në këtë prezantim ishte Ministri i Mjedisit, Z.Lefter Koka, i cili përshëndeti mbajtjen e këtij censusi për herë të dytë në vendin tonë dhe vuri në dukje efektet pozitive të Moratoriumit të Gjuetisë.

“Formalizmi dhe sistemi na bën të kuptojmë situatën jo vetëm të faunës së egër por të të gjithë sektorëve të Mjedisit. Sot jemi këtu ku është bërë një punë e shkëlqyer për të evidentuar rezultatet e moratoriumit të gjuetisë. Më vjen mirë që rezultatet ishin shumë pozitive dhe kjo na bën tashmë që të ulemi dhe të diskutojmë dhe me shoqata të ndryshme dhe pasionantë të gjuetisë. E kam thënë vite më parë nuk do të jenë gjykatat ato të cilat do të vendosin sesi duhet të funksionojë edhe ky sektor në Shqipëri, por duhet të jemi të gjithë së bashku, pra Ministria,  specialistët e fushës, gjuetarët për ta ushtruar këtë pasion në mënyrë sa më të ligjshme.

Dje unë u njoha me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që në fuqi vendimin e moratoriumit. Nuk dua t’i dekurajoj gjuetarët por dua sot t’u them që ne jemi tashmë të hapur, të ulemi me ta për të diskutuar pikërisht këto rezultate të nxjerra nga specialistë të fushës, dhe për të hapur një dialog të ri dhe për funksionuar edhe sektor në një mënyrë ligjore dhe korrekte.” tha ministri Koka.

Më tej ministri Koka u shpreh se rezultatet e reformës administrative tashmë janë të dukshme: “ Reforma administrative e bërë nga Ministria e Mjedisit në fund të vitit  2013 sot po jep rezultatet e saj. Ne kemi një Agjenci Kombëtare të Zonave të Mbrojtura që nuk e kishim më parë dhe sot kemi njerëz profesionistë dhe të përkushtuar. Kemi gjithashtu Inspektoriatin Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve dhe Agjencinë Kombëtare të Mjedisit të cilat në mënyrë të pavarur funksionojnë me agjencitë simotra në vende të tjera europiane. Nuk është normale që një census që është detyrë ligjore apo morale për t’u bërë ndërkombëtarisht, Shqipëria të mos ishte pjesë e këtij raportimi.”

Këtë vit Censusi shënon disa arritje si: shtrirje më të gjerë  krahasuar me një vit më parë. (19 ligatina kundrejt 16 ligatinave në 2016-ën), përfshirje më të gjerë dhe të kualifikuar të stafit të AKZM-sw, prani më të madhe të shpendëve krahasuar me një vit më parë si dhe praninë e shpendëve të cilët prej kohësh nuk ishin parë në ligatinat e vendit tonë. Rezultatet e këtij Censusi konfirmojnë efektet pozitive të moratoriumit të gjuetisë, si pasojë e të cilit  është vërejtur një progres i dukshëm në shfaqjen dhe numrin e popullatave të llojeve të faunës së egër.

Pavarësisht një dimri më të ashpër se vitet e shkuara, u regjistrua një numër i lartë i shpendëve të uji. Në total u regjistruan 64 lloje të shpendëve të ujit dhe një numër të përgjithshëm 165,268 individësh.(krahasuar me 98,564 individë në 2016). Shumë lloje me interes global ruajtje u vrojtuan këtë vit të cilat dëshmojnë rëndësinë e Shqipërisë për zogjtë shtegtarë. Censusi ofroi disa vëzhgime të rëndësishme për disa lloje të tjera që shënojnë  për herë të parë dimërimin e tyre në ligatinat shqiptare.Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta regjistroi 39,999 individë dhe 51 lloje të ndryshme të shpendëve të ujit duke u shpallur kështu zona më e pasur në këtë mes dimër. Zona të tjera të rëndësishme për shpendët e ujit ishin Narta me 40 lloje, Kune-Vaini me 36 lloje dhe Butrinti me 33 lloje. Indeksi më i lartë i larmisë u regjistrua në Kune-Vain duke treguar një barazpeshë të mirë midis numrit të lartë të shpendëve të ujit dhe diversitetit të lartë të llojeve të vrojtuara.  Censusi u krye më 13-16 Janar 2017 dhe u krye në kuadër të Censusit Ndërkombëtar të  shpendëve dimërues të ujit. Duke iu bashkuar kësaj nisme ndërkombëtare, Shqipëria konfirmon edhe një herë rolin e saj të rëndësishëm në mbrojtjen e biodiversitetit botëror.