Postuar më: 27 Mars 2017

Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, angazhohen për bashkëpunim në fushën e Mjedisit

Ministri i Mjedisit të Shqipërisë, z. Lefter Koka, Ministri i Mjedisit të Maqedonisë,z Bashkim Ahmeti dhe Ministri i Mjedisit të Kosovës z. Ferat Shala, zhvilluan në Tiranë Takimin e Nivelit të Lartë, gjatë të cilit prezantuan projektin “Menaxhimi i Ekosistemit Ndërkufitar”.

Gjatë takimit të tre Ministrat e Mjedisit shkëmbyen pikëpamjet e tyre lidhur me hapat  e mëtejshëm për zbatimin e Vizionit të Përbashkët trepalësh mes këtyre shteteve, të nënshkruar në vitin 2013 “Për një zonë të mbrojtur ndërkufitare të rajonit Sharr/Sar- Planina/Korab-Koritnik”, rajon që aktualisht është pjesë e projektit që u prezantua pas Takimit të Nivelit të Lartë, të mbajtur sot. 

Në fjalën e tij Ministri Koka theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për mbarëvajtjen e këtij projekti. “Vullneti i përbashkët ka rëndësi kyçe për ta bërë të zbatueshëm këtë project dhe të tjera mes vendeve tona!  Shpesh ndodh që nuk janë fondet apo mungesa e kapaciteteve të shteteve për të realizuar finalizimin e bashkëpunimeve, por vullneti për ta cuar përpara atë. Cfarë firmosim e biem dakort duhet të kenë vullnetin tonë I cili është vendimtar për zbatimin e çdo projekti të përbashkët”: - tha Ministri Koka, i cili rikonfirmoi vullnetin e palës shqiptare për bashkëpunim në zbatimin e projektit.  MInistri Koka në fjalën e tij u ndal në rolin që ka pushteti vendor në përfitueshmërine dhe implementimin e saktë e ketyre projekteve si dhe rolin aktiv të komunitetit si përfitues kryesor i zhvillimit të turizmit në këto zona të mbrojtura

Me përfundimin e këtij projekti kjo zonë ndërkufitare do të hyjë si krye prioritet dhe me proçedura të thjeshtuara, në çdo aplikim që do të bëhet për fondet IPA ndërkufitare

 

Rikonfirmoi gadishmërinë për realizimin e këtij bashkëpunimi dhe Ministri i Mjedisit të Kosovës z. Shala : - “Ne jemi gati. Kemi çdo mekanizëm dhe kapacitet gati për të bërë të mundur këtë projekt.  Natyra flora dhe fauna janë pakrahasimisht më të rëndësishme se barrierat” –shpreh Ministri Shala.

 

Edhe Ministri i Mjedisit të Maqedonisë z. Ahmeti  ndau të njëjtin qëndrim duke thënë se - : “Rikonfirmojmë vullnetin e qeverisë sonë bazuar në firmosjen e marrëveshjes në 2013 mes 3 vendeve dhe këtij vizioni të përbashkët për avancimin e zonave ndërkufitare.  Kontribuojmë në mbrojtjen më efikase dhe përmbushjen e qëllimeve globale për biodiveristetin”

 

Në përfundim të Takimit të Nivelit të Lartë,  të tre Ministrat dolën në një deklaratë të përbashkët për median, ku rikonfirmuan angazhimin dhe vullnetin e tyre,  për të çuar përpara jo vetëm zbatimin e projektit për menaxhimin ndërkufitar,  por edhe hartimin dhe zbatimin e çdo projekti tjetër në të gjithë sektorët e Mjedisit .

Projekti Rajonal për Menaxhimin e Eksosistemit Ndërkufitar zbatohet si pjesë e Fondit të Hapur Rajonal për Evropën Juglindore - Biodiversiteti (ORF-BD) dhe financohet nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) me një  vlerë prej 3 milionë euro, ky fond ka paracaktuar një vlerë prej 250,000  Euro për të 3 vendet e rajonit , të dedikuar specifikisht për zonën e Sharr/Sar-Planina/Korab-Koritnik”. 

Projekti synon të kontribuojë në forcimin e bashkëpunimit rajonal  mes tre vendeve dhe të sigurojë kushtet për fillimin e menaxhimit të ekosistemit ndërkufitar në rajonin Sharr / Sar Planina-Korab-Koritnik.

Lançimi i këtij projekti është me rëndësi të madhe për të tre vendet partnere, për rajonin më të gjerë të Europës Juglindore, por edhe në kontekstin e zbatimit të Iniciativës së Harkut Dinarik.

Në prezantimin e projektit ishin të pranishëm përfaqësues të Ambasadës  Gjermane në Shqipëri dhe të GIZ(I cili do të zbatojë këtë projekt)  si dhe përfaqësues nga organizatat ndërkombëtare, rajonale e kombëtare të përfshira në ruajtjen e natyrës dhe menaxhimin ndërkufitar,  përfshirë këtu edhe institutet kërkimore, akademike, organizatat e shoqërisë civile, si dhe bashkitë dhe përfaqësues të nivelit lokal nga rajoni.