Postuar më: 09 Tetor 2015

Intervista e Ministrit të Mjedisit Z. Lefter Koka për televizionin Top Channel

Klodiana Kapo:  Ju jeni duke  përgatitur një ligji të ri për pyjet dhe keni parashikuar moratoriumin 10 vjecar, të cilin e bëtë publik  disa ditë më parë. Mund të dimë më konkretisht pse dhe hapat që do të ndërmerrni?

Ministri Koka: Unë do ta konsideroja si një nga reformat më të rëndësishme të qeverisë shqiptare në këto 2 vite. Ministria e Mjedisit dhe institucionet e saj të varësisë kanë bërë një punë kolosale sa i përket mbrojtjes së mjedisit në tërësi, e sidomos pyjeve në veçanti. Por duhet të them se përballemi me situatë të vështirë, një punë jo e pamundur, por  shumë e kushtueshme. Kapacitetet njerëzore janë të kufizuara, në Shqipëri 1 inspektor mbulon rreth 15.000 ha, një situatë relativisht e vështirë, kur në vendet e rajonit apo të BE –së  1 inspektor mbulon 1.500-30000 ha.

Në këto kushte kemi kërkuar që të ndryshojmë sistemin, kemi kërkuar të bëjmë monitorim me kamera, kemi krijuar grupe të përbashkëta pune me Ministrinë e Brendshme, sigurisht kemi pasur efekte pozitive nga gjtihcka që kemi bërë deri tani.

Por jemi në një situatë të tillë që kemi një bilanc jopozitiv, ky bilanc daton që nga viti 1974 kur rritja jonatyrale e bimësisë shkon në këto 40 vite në proporcion të zhdrejtë më konsumin e lëndës drusore. Por nuk kemi vetëm konsumin e eksportit të lëndës drusore, kemi dhe familjet shqiptare që janë konsumatore. Sipas të dhënave të buletinit të INSTAT, kemi 300.000 familje që jetojnë në zonat rurale dhe zonat me nevojë për ngrohje. Është përllogaritur që konsumi familjar është 5m3/vit dhe kjo është një sasi e madhe. Në këto kushte duhej marrë një vendim disi më radikal, pasi duhet të mbrojmë të ardhmen e vendit dhe të fëmijëve tanë.

Ne po punojmë me Ligjin e Pyjeve dhe Kullotave që ka dy elemente shumë të rëndësishme: Moratorium 10- vjeçar për pyjet dhe kalimin 100% të fondit pyjor në menaxhim të bashkive. Ky ligj shumë shpejt do të paraqitet pranë Këshillit të Ministrave. Ligji parashikohet të hyjë në fuqi në fillim të 2016-ës. Besojmë se moratoriumi  do të  japë efektin pozitiv, por edhe kalimi i menaxhimit në pushtetit vendor do të fuqizojë bashkitë. Rreth 60% e fondit pyjor ka qenë deri në vitin 2012 në menaxhim të pushteti vendor, por duhet të themi se ka pasur mbivendosje ose keqmenaxhim nga komunarët.

Sa i përket qytetarëve dhe familjeve që ngrohen me dru zjarri, është menduar që kjo të mirëadministrohet nga bashkitë tashmë. Bashkitë do të kenë mundësi jo vetëm të fuqizohen ekonomikisht, por me identifikimin e nevojave të çdo familje, do të shpërndajnë lëndën drusore, pa qëllim fitimi. Kështu çdo bashki do të arrijë që me të ardhurat që gjeneron, të rivitalizojë pyjet duke pasur kështu menaxhim shumë më të qëndrueshëm.

Klodiana KapoKjo do të thotë që familjet do të paguajnë lëndën drusore?

Ministri Koka: Të kuptohemi edhe sot familjet paguajnë lëndën drusore. Por jo të gjithë familjet presin pyjet dhe bëjnë shkelje. Këto familje blejnë aktualisht nga subjektet private që i presin në mënyrë abuzive. Duke ia kaluar Bashkisë menaxhimin dhe të drejtën e shitjes së lëndës drusore pa qëllim fitimi, do të krijojmë një ekulibër pozitiv.

Sigurisht, do të jetë Bashkia që do të identifikojë zonat pyjore që do të kenë nevojë për rigjenerim duke përcaktuar kështu dhe vendin ku do bëhet prerja për lëndë drusore.  Kështu qytetarët do të jenë blerës të ligjshëm pranë bashkive, dhe më e rëndësishmja me kosto shumë më të ulët, pasi Bashkia do të bëjë shitjen pa qëllim fitimi.

Klodiana KapoPo subjektet private që e përdorin lëndën drusore? Cfarë do të ndodhë me ta?

Ministri Koka: Ka disa alternativa. Ne kemi kërkuar të favorizojmë importin e lëndës drusore. Shumica dërrmuese e biznesit sot në fakt përdor pikërisht lëndën drusore të importit, pasi në Shqipëri  nuk kemi teknologjinë e duhur. Dhe unë nuk besoj që kostot janë më të larta, nëse drejtohemi tek importi. Nëse ne, do të ndjekim politikën e rishikimit të disa taksave në importin e lëndës drusore, bizneset do të priren drejt importit, pasi kostot për ta do të jenë më të ulëta.

Por më duhet të ritheksoj se prej 1974 pyjet shqiptare kanë qenë aset ekonomik për vendin edhe pse për shumë vite, pas 90-ës,  është konsideruar si mall pa zot dhe ky ka qenë një aktivitet informal.

Së pari me Ligjin e ri të Pyjeve  dhe së dyti, me amendimet që po bëjmë paralelisht në kodin penal,  të cilat do të paraqiten pranë Këshillit të MInistrave, besojmë se do të sjellin shpejt rigjallërim të mjedisit. Ka ardhur momenti që të gjithë së bashku duhet të ndërgjegjësohemi, se krimi mjedisor duhet ndëshkuar.

Klodiana KapoÇfarë do të thotë kjo, se kush do të presë apo abuzojë do të dënohet?

Ministri Koka : Absolutisht! Çdokush duhet të kuptojë se pyjet nuk mund të vazhdojnë të jenë e trajtohen si pronë private. Biznesi duhet të kuptojë se tjetërsimi apo ndërhyrja në mjedis do të kërkojë liçensim, do të kërkojë të jenë zbatues të rregullt të detyrimeve që ai u jep. Ligji për krimet mjedisore është i pandryshuar qysh nga viti 1991, ndaj mendojmë se amendimet në ligj janë domosdoshmëri.

Klodiana KapoMund të kemi të dhëna, sa është dëmi ekonomik mjedisor në sipërfaqet e zhveshura  apo edhe ato të djegura?

Ministri Koka :Në periudha të ndryshme, nga kjo Ministri kanë dalë shifra të ndryshme. Ndaj unë nuk dua të dal me shifra të pasakta, pasi sic ju e dini mungon kadastra pyjore. Ne po punojmë të mbyllim brenda 2016-ës Regjistrin e pyjeve. Kjo do të vijë paralelisht me ligjin e pyjeve dhe brenda vitit 2017 presim të kemi rezultatet e para të inventarit kombëtar të pyjeve dhe atë që ne e quajmë kadastra pyjore. Pra ngritja e sistemit nuk do të lejojë më , deklarimin e shifrave të ndryshme në periudha të ndryshme. Unë besoj në ngritjen e sistemit,  e kam shprehur gjithmonë këtë, besoj se rregullatorë të vetëm janë ligji dhe sistemi. Çdo njeri është i gabueshëm .

Më duhet ta them se kaluam një sezon shumë të vështirë, ishte një nga verat më të nxehta, dhe them pa e fshehur kënaqësine se falë punës, rezultatet e djegieve kanë qenë të minimizuara, pasi puna për parandalim ka qenë maksimale. Ndaj kërkohet ndërgjegjësim dhe gjithëpërfshirje në ruajtjen e mjedisit.

Ne prezantuam pak javë më parë aplikimin MJEDISIIM. Unë nuk dua të kthehet qëllim në vetvete denoncimi, nuk është ky qëllimi ynë. Të  gjithë, kur raportojnë në këtë aplikacion duhet ta shohin veten si mbrojtës të Mjedisit tonë, dhe pse jo duke  lehtësuar sadopak punën e ISHMP-së.

Por,  në çdo rast është shumë më e rëndësishme të parandalosh djegien apo ndotjen se sa të hysh në veprim, e cila sjell ekosto të larta. Me sensibilizimin e ndërgjegjësimin e lartë të opinionit publik dhe  me punën tone, padyshim rezultati do të vijë.

Klodiana KapoPyetja e fundit Z. Ministër. Ju keni pasur prioritet në fillim të këtij mandati rigjallërimin e pyjeve? Çfarë po bëni në këtë drejtim ?

Ministri Koka : Është e vërtetë, më duhet të them jo pa keqardhje, se më parë qeveritë shqiptare nuk kanë pasur në vëmendje Mjedisin. Fatmirësisht në këto dy vite kemi pasur një situatë krejt tjetër. Objektivi ynë, se deri në fund të mandatit do të mbjellim 10 milionë fidanë, jam i bindur që do të realizohet. Deri tani mbjellja e fidanëve është bërë me fonde të qeverisë shqiptare , të FSHZH-së si dhe donacione të huaja, por nga ana tjetër në gjelbërimin e territorit do të jetë kontribues edhe biznesi që e ka në fakt detyrim ligjor, por deri tani nuk është zbatuar.

Fatmirësisht nga kontaktet me subjektet privatë që kemi pasur në këto muajt e fundit, më duhet të pranoj se janë shprehur pozitivisht dhe janë të gatshëm të përgjigjen për detyrimet mjedisore që ju jep ligji në fuqi. Sot numërohen mbi 400  subjekte minierare, karriera apo HEC, të cilat nuk kanë marrëveshje me Ministrinë e Mjedisit, edhepse janë të pajisur me leje mjedisore, për të rimbjellë sipërfaqen ku ata kanë ndërhyrë. Sipas ligjit aktual në fuqi, nëse subjekti ndërhyn  në sipërfaqe 1 ha, sipas licensimit që merr, subjektet duhet të rehabilitojnë sipërfaqen nga 1 deri në 3 ha në varësi të bimësisë së dëmtuar dhe moshës së saj.  Ritheksoj që ka pasur një reagim pozitiv dhe të menjëhershëm nga subjektet e kontaktuara.