Postuar më: 07 Gusht 2017

Njoftim për konsultim publiku për draft suplementin e Planit te Menaxhimit te Peizazhit te Mbrojtur te Liqenit te Pogradecit

Ministria e Mjedisit si institucion lider, ju fton të merrni pjese ne konsultimin e publikut, per prezantimin dhe diskutimin e suplementit te Trashegimise Boterore te Planit te Menaxhimit te Peizazhit te Mbrojtur te Pogradecit, qe do te organizohet ne sallen e mbledhjeve te Ministrise, ne date 18 Gusht 2017, ora 11. 

Liqeni i Ohrit është një ndër liqenet më të vjetër të botës, që ndodhet në Europën Juglindore, dhe një nga zonat me rëndeësi për biodiversitetin e njëkohësisht një nga vendbanimet më të vjetra njerëzore në kontinent.

Liqeni i Ohrit gëzon disa statuse si Zonë e Mbrojtur e kategorisë V “Peizazh i Mbrojtur i Pogradecit” dhe pjesë e Rezervës Ndërkufitare të Biosferës për Shqipërinë dhe ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Dy të tretat e territorit të Liqenit të Ohrit (pjesa maqedonase e liqenit), është futur tashmë në listën e UNESCO-s si zonë e trashëgimisë botërore dhe natyrore me vlera të nderthurura për të dy këto komponentë.

Në shtator të vitit 2011, pala shqiptare paraqiti një format të listës tentativë si një hap i parë në procesin e propozimit te pjesës shqiptare te Liqenit të Ohrit si zone e trashegimise kulturore dhe natyrore UNESCO dhe në tetor të të njëjtit vit, Qendra e Trashëgimisë Botërore miratoi një ndihmë ndërkombëtare paraprake ndaj Shtetit Palë të Shqipërisë për trashëgiminë natyrore dhe kulturore të rajonit të Ohrit. Një mision vlerësimi u organizua nga Qendra e Trashëgimisë Botërore në Prill 2012, në bashkëpunim me Shqipërinë si një hap i parë në zbatimin e projektit pilot “Trashëgimia Natyrore dhe Kulturore e Rajonit të Ohrit”. Me atë rast, u organizua një tryezë pune për t’u konsultuar me aktorët kryesorë të zonës së Liqenit të Ohrit mbi fizibilitetin e projektit të shtrirjes së Trashëgimisë Botërore. Përfaqësues nga Ministria e Mjedisit e ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë mori gjithashtu pjesë në takim dhe prezantoi punën ndërkufitare të ndërmarrë brenda kuadrit të Komitetit të Pellgut Ujëmbledhës të Liqenit të Ohrit. Një analizim paraprak SWOT (pikat e forta/të dobëta, mundësitë/kërcënimet) u ndërmor për të identifikuar shqetësimet kryesore.

Ne vitin 2015 nisi projekti "Drejt një qeverisjeje të përbashkët të trashëgimisë natyrore dhe kulturore ndërkufitare të rajonit të Liqenit të Ohrit", i cili po zbatohet nga UNESCO në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Ministrinë e Kulturës dhe synon të adresojë të gjithë faktorët kryesorë që prekin rajonin përmes identifikimit dhe ruajtjes së aseteve kryesore natyrore dhe kulturore të Rajonit të Liqenit të Ohrit, si dhe përmirësimin e bashkëpunimit dhe menaxhimit ndërkufitar të kësaj zone.

Projekti ka 2 komponentë kryesore:

  1. Përgatitjen e suplementit të planit të menaxhimit të zonës së mbrojtur fokusuar në zonën e propozuar për tu përfshirë në zonën e trashëgimisë natyrore dhe kulturore UNESCO të Rajonit të Liqenit të Ohrit.
  2. Përgatitjen e dosjes së aplikimit për përfshirjen e zonës në UNESCO.

 

Përgatitja e suplementit te Planit të Menaxhimit do të kontribojë në ruajtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore të zonës. Ky suplement do të jetë pjesë plotësuese e planit ekzistues te Peizazhit te Mbrojtur Pogradec dhe do jetë një nga dokumentet që do t’i bashkëlidhet dosjes se aplikimit për përfshirjen e pjeses shqiptare ne UNESCO (zgjerimi i zonës ekzistuese UNESCO te Liqenit te Ohrit).

Ky projekt mbështetet nga një iniciativë e përbashkët te BE-së dhe UNESCO-s, e cila koordinohet nga Qendra e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s me mbështetjen e Zyrës së Venecias/Zyrës së Antenna-s të UNESCO-s në Sarajevë dhe e zbatuar në partneritet të ngushtë me Qeverinë e Shqipërisë përmes Ministrisë së Mjedisit, Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit si dhe Qeverinë e ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë përmes Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministrisë së Kulturës, si edhe tre Organet Këshilluese të Komitetit të Trashëgimisë Botërore: ICOMOS International, IUCN dhe ICCROM.

Në këtë kuadër, janë zhvilluar një sërë takimesh me ekspertët e huaj të kontraktuar për këtë projekt dhe me përfaqësues të institucioneve të ndryshme që kanë përgjegjësi në menaxhimin e kësaj zone duke përmendur stafin e Ministrisë së Mjedisit dhe Ministrisë së Kulturës, stafi i AKZM dhe i ADZM Korçë, Drejtoritë Rajonale të trashëgimisë kulturore, Bashkisë etj, si dhe përfaqësues nga institucionet përkatëse në shtetin fqinj të Maqedonise. Si rezultat i këtyre takimeve, është arritur hartimi i draftit të suplementit të planit të menaxhimit, i cili do të jetë dhe pjesë përbërëse e dosjes së nominimit në UNESCO.

Këtu do të gjeni draft suplementin e planit të menaxhimit të zonës së mbrojtur (Ang)