Postuar më: 08/07/2020

Klosi: 50 bova për ankorimin e mjeteve lundruese në Rivierën Shqiptare

Klosi: Synojmë një pikë parkimi rajonal për gjithë zonën e bregdetit

Klosi: Turizmi detar, një industri e re për bashkinë e Vlorës dhe për gjithë bashkitë bregdetare

Leli: Produkte të rëndësishme që garantojnë ekonominë e turizmit në të ardhmen

 

Nisën punimet për instalimin e 50 bovave të para nga Parku Kombëtar Sazan Karaburun, në gjithë Rivierën Shqiptare deri në Sarandë. Ky është vetëm hapi i parë, të tjera iniciativa dhe investime do të ketë në drejtim të zhvillimit të aktiviteteve detare turistike. “Në zbatim të politikave për mbrojtjen e Parkut Kombëtar të Sazan Karaburunit, për të garantuar një zhvillim të gjithë ekonomisë së biznesit të turizmit detar, për gjithë zonën e Rivierës Shqiptare, do të hedhim sot 50 bova të reja të cilat janë një investim i qeverisë shqiptare në kuadër të hapjes së kësaj pjese të detit shqiptar për t’u ankoruar më shumë mjete të kënaqësisë dhe për të patur mundësinë që bukuritë e pamata të këtyre plazheve të virgjëra të Karaburunit dhe pastaj të gjithë zonës së Rivierës, të vizitohen nga më shumë jahte e mjete kënaqësie që lundrojnë në këtë zonë edhe pse jo të zhvillojmë në këtë zonë një pikë parkimi rajonal për gjithë zonën e bregdetit.”- tha Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi. Në kuadër të politikave që ndjek Ministria për të promovuar turizmin e detit ky është momenti më i rëndësishëm pasi ligji i ri “Për Turizmin Detar”, ligji bashkëshoqërues për heqien e TVSH-së për Jahtet, do të bëjnë që flamuri shqiptar, të njihet gjerësisht si dhe shumë jahte të gjejnë vend parkimet e tyre në vendin tonë. Kjo do të thotë më shumë turizëm elitar dhe së bashku me kapitenerinë e porteve, policinë kufitare me policinë e shtetit në bashkëpunim të ngushtë me bashkitë të ofrojmë më shumë në drejtim të turizmit detar. “Eshtë një nga politikat e mëdha të Ministrisë së Turizmit, zgjerimi i turizmit detar, ringritja e një industrie të re në det dhe jo për të qenë vetëm pjesë e kënaqësisë do të jetë një industri e re për bashkinë e Vlorës për gjithë bashkitë bregdetare për të pasur më shumë mundësi, më shumë të ardhura të turizmit elitar dhe natyrisht më shumë turistë që vizitojnë Shqipërinë”, theksoi Ministri Klosi. Po projektet e tokës do të gërshetohen me ato në det, duke i shtuar vlerat njëra – tjetrës. Janë disa investime të rëndësishme që po bëhen në këtë qytetet bregdetar. “Unë shpresoj që studiot e huaja që ashtu si kanë punuar në projektin e Lungomares, me projektin që është prezantuar nga kryeministri Rama të sjellë një projekt cilësor nëpërmjet të cilit ne do të japim një frymëmarrje të re dhe një garanci më shumë strategjisë që Ministria e Turizmit ka për turizmin detar, turizmin në ujë. Kështu që mbetem me besim që çdo gjë e mirë është duke u pritur të ndodhë dhe ne me bashkimin e energjive pozitive midis pushtetit qëndror dhe pushtetit lokal do të kemi shpejt produkte të rëndësishme që garantojnë ekonominë e turizmit për të ardhmen.”- tha Kryetari i Bashkisë, Vlorë, Dritan Leli.