Postuar më: 30/08/2019

Ministri Klosi takon turistin e aksidentuar

Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit Blendi Klosi, së bashku me Sokol Hoxhën, Kryetarin e Shoqatës së Tur-Operatorëve Shqiptarë vizitoi në spitalin e Shkodrës turistin polak, Wojtek Markiewicz të aksidentuar mbrëmjen e, dates, 29 gusht në Theth. “Së bashku me Sokolin, Kryetarin e Shoqatës së Tur Operatorëve shqiptarë dhe me Drejtorin e Spitalit të Shkodrës, ne vizituam një prej turistëve të aksidentuar dje në majat e Thethit, një turist që vjen nga Polonia, i cili në fakt shërben si destinacionin kryesor i turistëve që vijnë në vendin tone, mbi 230 mijë turistë polakë vizitojnë Shqipërinë këtë vit dhe një prej tyre pësoi aksident. Arsyeja që ishim këtu është për t’i shprehur atij dhe natyrisht të gjithë familjarëve shërim të shpejtë dhe për t’i uruar me një konjak tradicional shqiptar që të kujtojë pak më shumë Shqipërinë dhe po ashtu së bashku me drejtorin e zonave të mbrojtura i afruam një set me harta të Shqipërisë për të pasur më shumë informacion por njëkohësisht për të bërë edhe një mesazh për të gjithë ata të cilët administrojnë turizmin shqiptar që ka ardhur që të vendosin shumë më tepër rregulla në menaxhimin e strukturave tona që organizojnë turistët, ka ardhur koha që të punojmë shumë më tepër së bashku me operatorët turistikë dhe gjithë biznesin e turizmit për të vendosur standarde europiane në menaxhimin e guidave profesionale që shoqërojnë turistët”, tha Ministri Klosi. Administrata e Zonave të Mbrojtura organizoi punën për transportin e turistit në orët e vona të mbrëmjes. Ndërkohë banorët e Thethit u treguan shumë të gatshëm, për të shkuar në vnedngjarje, e gjetën dhe e transportuan në krah, turistin, që kishte rënë në humnerë. “Zonat e mbrojtura siç ndodhi dje ishin pranë edhe arritën t’i shërbejnë turistit për ta shpëtuar dhe i shpëtuan jetën, pasi mund të kishte ndodhur një fatkeqësi edhe më e madhe sesa vetën dëmtimi dhe punonjësit e Zonat të Mbrojtura janë bërë pjesë e këtyre vizitave të turistëve, por gjithmonë e më shumë ne duhet të kuptojmë që ka ardhur koha që duke parë shtimin në numër të turistëve, duke parë interesin dhe thithjen që ka turizmi i aventurës në vendin tonë, kuptojmë që shtimi i numrit duhet të na shtojë shumë më tepër përgjegjësitë”,- theksoi Klosi. Ministri përmendi dhe rastin tjetër të para një jave, ku: “Patëm fatin që i shërbyem dhe shpëtuam një turist tjetër në zonën e Llogarasë, dhe nuk ka ndodhur fatkeqësi. Por, këto janë sinjalet e para që shtimi kaq shumë i turizmit në Shqipëri do të duhet të na shtojë shumë më tepër rregullat me të cilat ky biznes aktivizohet. Dhe besoj që ndaj po të njëjtin opinion edhe me Shoqatën e Operatorëve Turistikë që jo të gjithë mund ta bëjnë këtë biznes, të gjithë mund të përpiqen, por të gjithë duhet të kenë rregulla më të forta”.

Më pas Ministri Klosi falenderoi banorët e Thethit që u gjendën në orët e vona të natës në një zonë vërtet shumë të vështirë për administrimin e transportit dhe po ashtu gjithë stafin e spitalit Shkodër që iu gjend pranë çiftit polak dhe tashmë ata janë të rekuperuar. Shoqata e tur operatorëve do t’u ofrojë atyre shërbim dhe transport të lehtësuar në rrugën e kthimit në vendin e tyre. Kryetari i Shoqatës së Tur Operatorëve, Sokol Hoxha, pasi falenderoi Ministrin Klosi për mbështetjen që I ka dhënë zhvillimit të turizmit i pyetur nga gazetarët mbi problemet e turizmit tha: “Megjithëse Shqipëria pret një numër shumë të madh turistësh ka ardhur koha që të caktohen disa rregulla. Duhet infrastruktura krejt me harta teknike, guida duhet të liçensohen, të paguajnë taksën e tyre që të quhen turistë legalë, pra ka ardhur koha që të bashkëpunojnë organet lokale me organet qendrore. Është një gjë e mirë kur ministri e deklaron dhe deklaratat e tij i ka vënë në funksionim por shoh që ka punë për të bërë sidomos në hartat teknike të zonave të larta nëpërmjet pushtetit lokal, zonave të mbrojtura, dhe pushtetit qendror”.